Të paktën 5 studentë kanë mbetur të vdekur dhe 12 të tjerë janë raportuar të zhdukur pasi u shemb një urë në një vend turistik në Kashmir, e administruar nga Pakistani.
Ura në rrethin malor të Neelumit u shemb pasi dhjetra studente të një universiteti hypën aty për të parë një ujëvarë. Zyrtarët thanë se kishte pak shpresë për mbijetimin e studentëve të humbur.
“Kemi gjetur 4 trupa djemsh dhe një vajze. 12 të tjerë kanë humbur dhe nuk kemi ndonjë shpresë për ti gjetur gjallë sepse uji është shumë i ftohtë,”-tha Chaudhary Imtiaz, një zyrtar i lartë i qeverisë në kryeqytetin e Kashmirit, Muzaffarabad.
Imtiaz tha për AFP se 8 studentë të tjerë janë plagosur gjatë incidentit.
Autoritetet kishin vendosur një paralajmërim pranë urës, ku iu kërkohej vizitorëve që të ecnin në urë në numër të vogël sepse ishte ndërtuar vetëm për mbajtjen e 5 personave në të njëjtën kohë.
“Ura u shemb sepse mbi të u ngjitën 40 veta në të njëjtën kohë. Baza e saj nuk mund ta mbante peshën,”-tha ai.
Rajoni Himalayan skenik është një destinacion popullor turistik, por i mungon infrastruktura.
Kashmir është ndarë mes Indisë dhe Pakistanit që nga fundi i sundimit kolonial britanik në vitin 1947, por të dy pretendojnë territorin në tërësi.