Disa tërmete të njëpasnjëshme gjatë katër ditëve të fundit, përfshi edhe një tërmet të madh 6.4 ballë me epiqendër në detin Jon në jugperëndim të Greqisë, kanë shkaktuar zhvendosjen e një ishulli të madh.
Sipas shkencëtarëve, duke analizuar të dhënat e reja satelitore, ishulli i Zakinthos është zhvendosur me 3 centimetra nga pozicioni i tij i mëparshëm.
Shkak janë bërë lëkundjet e tërmetit që kanë qenë horizontale.
Shkencëtari Athanasios Ganas nga Instituti i Gjeodinamikës në Athinë thotë se pozicioni i ri i ishullit është kalkuluar në bazë të imazheve nga sateliti Copernicus, raporton Euronews.
Tërmeti 6.4 ballë i katër ditëve më parë shkaktoi dëme materiale por jo viktima në njerëz. Një mini cunami i shkaktuar nga ky tërmet u regjistrua në Itali, ku niveli i detit u rrit me 10 centimetra.