Të rinjtë digjeshin brenda makinës, italianët bënin video… derisa ndërhyn “heroi” nga Shqipëria


Një aksident i fortë dhe një tronditje e madhe, e më pas një rrjedhje e karburantit që ka bërë që makina e 4 italianëve të marrë flakë e të kërcënojë seriozisht jetën e tyre.
Por në ndihmë të 4 të rinjve nga Italia nuk ka ardhur kush, përkundrazi, shoferët që rastisën të ishin në të njëjtën rrugë në qytetin e San Martinos rrinin duke bërë sehir, madje edhe duke shkrepur foto e video. Disa të tjerë thjesht kaluan të painteresuar.

Por ka qenë një shqiptar që është bërë “heroi” i këtyre të rinjve dhe i medias lokale. Zabit është emri i tij, por media italiane nuk jep mbiemrin. Shqiptari ishte duke shkuar për në punë, por ka ndaluar dhe ka vendosur të ndërhyrë.

“E pashë makinën të përfshirë nga zjarri dhe ndalova. Ishin 4 të rinj brenda, një vajzë dhe tre djem, të cilët dukeshin të tronditur, ndoshta nga tymi. I tërhoqa ata nga makina. Kjo është e vetmja gjë që duhet të bëja”, ka thënë Zabiti për median lokale.

Të rinjtë ishin bllokuar brenda mjetit që po merrte flakë, por fatmirësisht Zabiti i ka shpëtuar. Ai mund të jetë bërë vonë për në punë, por të paktën ka shpëtuar 4 jetë njerëzish./Gazeta Express