Siguroi paratë për t’u kuruar në Itali, 15-vjeçarit nga Shkodra nuk i japin pasaportën


Një histori vërtet e dhimbshme ajo e Musa Baculit, 15-vjeçarit nga Shkodra, i cili vuan nga një sëmundje që nuk mund të kurohet në Shqipëri.

Paratë për kurimin e tij janë siguruar nga hoxha Elvis Naçi, mirëpo ndonëse i ka 50 mijë eurot i mituri nuk lejohet të udhëtojë drejt Italisë për t’u kuruar.

Kjo pasi ai nuk ka pasaportë për të kaluar në një shtet tjetër dhe në zyrat e bashkisë nënën e tij e sorollasin sa andej-këtej.

15-vjeçari ka 3 muaj që po qëndron në reanimacionin e spitalit rajonal të Shkodrës ndërsa e ëma, Afërdita Baculi është interesuar që i biri të pajiset me pasaportë.

Por sipas “ShkodraNewas”, tek aplikimi që bëhet tek zyrat e bashkisë nga kompania ALEAT i kanë thënë se ajo duhet që ta sjellë djalin e saj me ambulancë për të aplikuar në një kohë kur është totalisht e pamundur sepse rre.zikon jetën. Më pas nëna e Musas ka shkuar tek policia vendore por aty i kanë dhënë një numër celulari të qendrës së kompanisë ALEAT në Tiranë në një kohë kur nëna e 15 vjeçarit e ka të pamundur sepse duhet që të qëndrojë pranë djalit të saj.

Nga ana tjetër sipas ligjit shqiptar në raste të tilla është e parashikuar që punonjësit vetë duhet që të shkojnë në spital ku ndodhet pacienti dhe t’i marrin shenjat e gishtave si dhe t’i bëjnë edhe foton përkatëse. Në fakt kjo nuk ka ndodhur ndërsa punonjësit në vend që të zbatojnë ligjin sorollasin nënën e 15 vjeçarit.

Mirëpo shëndeti i Musait nuk mund të presë për procedurat e stërgjatura të shtetit, që përveçse nuk të ofron shërbim shëndetësor, nuk të lejon as të shkosh ta marrësh atë diku tjetër.