1- Vini gjysmë litri qumësht në tenxhere dhe hidhini një zarf vanilje. Çojeni në vlim dhe pastaj largojeni nga zjarri që të vaket.
Këshillë: Mos i përdorni as qumështin dhe as vezët nëse nuk janë shumë të freskëta, përndryshe shija e akullores nuk do të jetë ajo që prisni.
2- Përgatisni kremin bazë: Merrni 6 të verdha vezësh dhe rrihini fort me sheqer derisa të bëhet një masë e zbardhur, e fryrë dhe me shkumë.
Këshillë: Për t’i rrahur të verdhat më shpejt, kujtohuni t’i nxirrni vezët nga frigoriferi të paktën një orë para se t’i përdorni. Duhet të jenë në temperaturën e ambientit.
3- Shkrijeni përbërjen e vezëve me sheqer në qumësht të ngrohtë dhe pastaj hidheni në një tenxhere me fund të trashë. Ziejeni kremin me zjarr shumë të ulët dhe mos e ndërprisni përzierjen derisa të fillojë të trashet. Hiqeni nga zjarri dhe vijoni ta përzieni derisa kremi të jetë ftohur aq sa të mos nxjerrë më avull nga sipërfaqja.
Këshillë: Për ta ftohur më shpejt kremin, futeni tenxheren në një tjetër më të madhe që e keni mbushur me kube akulli të spërkatura me nja dy lugë kripë, të cilat do ta vonojnë shkrirjen e akullit.
4- Nëse e doni akulloren me fruta, në këtë pikë kremit mund t’i shtoni 100-150 gramë tul frutash të bërë pure. Mund të zgjidhni pjeshkë, banane, luleshtrydhe, mollë dhe dardhë… të pjekura dhe të ëmbla.
5- Hidheni kremin në një kuti metalike që e kishit futur më parë në frigorifer, nivelojeni me shpinën e një luge dhe vëreni sërish në frigorifer, në pjesën e ngrirjes.
Këshillë: Përdorimi i vasketës metalike ndikon në ftohjen më të shpejtë të akullores.
6- Pas 20 minutash, kur kremi ka filluar të ngrijë në faqet e enës, nxirreni nga frigoriferi dhe përziejeni me lugë nga jashtë brenda. Përsëriteni veprimin 5-6 herë, çdo 20 minuta.
Këshillë: Nëse nuk doni ta përdorni menjëherë ruajeni në pjesën e ngrirjes së frigoriferit. Por, një orë para se ta përdorni, hiqeni nga akulli dhe lëreni në pjesën e poshtme të frigoriferit që të zbutet.