“Shpejt do të të palosim, do ta hamë kokën dhe ty”, Dritan Zagani kërcënohet me jetë, ja çfarë thotë për Tahirin (Foto)


Ish-shefi i Antidrogës në Fier, Drtan Zagani shprehet i gatshëm për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare në ndihmë të drejtësisë dhe zbardhjes së çështjes “Tahiri”.
Ai foli në lidhje me këtë çështje live në një lidhje me Skype në emisionin “Kjo javë” në “News24”.

Zagani ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë në Prokurori megjithëse deri më tani nuk ka marrë asnjë kërkesë apo ftesë për të dëshmuar në Komisionin hetimor për çështjen “Tahiri”.

Ai deklaron se vazhdon të marrë ende mesazhe kërcënuese dhe se mesazhet bëhen sipas kodit të mafias. Por ajo që e shqetëson më shumë nuk janë ata që flasin e i shkruajnë duke e kërcënuar. Zagani thotë se ata që vrasin nuk flasin.

Zagani thotë se pavarësisht kësaj ai ndjehet i sigurt për jetën e tij dhe të familjes, madje shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare në lidhje me gjithçka di për klanin Habilaj e lidhjet e tyre me ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Pjesë nga intervista

Besoj se jeni në dijeni të një komisioni hetimor që është ngritur për çështjen “Tahiri”. A keni marrë ndonjë kërkesë për të bashkëpunuar?

Nuk kam marrë asnjë lloj thirrje apo ftese. Unë kam të paktën tre vite që jam jashtë vendit, dhe të vetmin kontakt me institucionet e Shqipërisë e kam patur vetëm nëpërmjet institucioneve të vendit ku ndodhem për çështje dokumentesh.
Nëse do kërkonte diçka komisioni hetimor, a do të dëshmonit?

Pa më të voglin dyshim. Jo i gatshëm, po super i gatshëm për çdo lloj bashkëpunim me ligjin dhe shtetin tim.
Tahiri është lënë nën hetim kryesisht për shkak të hetimeve italiane dhe jo ato shqiptare. Si e mendoni ju?

Unë e quaj zhdrejtësi dhe jo drejtësi. Të jeni të sigurtë se po të kishte drejtësi nuk do të kishte pse të diskutohej fare sot hetimi i drjetë apo jo. Të gjithë ishin në dijeni, por asnjëri nuk guxonte të vinte pikat mbi i. Tentonte dikush, por ndërhynte propaganda. Dhe më pas m’u desh ta bëja këtë betejën, që për mua u kthye në personale, raporton “BW”.
Ju thatë se do bënit bashkëpunim me komisionin hetimor nëse do ju kërkohej, por nëse ju kërkon prokuroria për të qenë dëshmitar?

Unë nuk jam pjesë e politikës, e urrej politikën dhe nuk dua të merrem me të. Por unë dua të përgjigjem për vendin tim.”
A keni pasur ndonjë kërcënim të ri?

Duke qënë aktiv në rrjetet sociale ka shumë nga këta minjtë e internetit që më dërgojnë kërcënime edhe me jetë. Ata shkruajnë aty ku të dhemb më shumë në drejtim të familjes. Ata paguhen për të demoralizuar që të mbyllësh gojën. Ata që vrasin nuk flasin. Falenderoj zotin që jam në një vend ku ndjehem i mbrojtur.”
A mund të na thonë ndonjë prej kërcënimeve që janë bërë në adresën tuaj?

Marr kërcënime me kodin e mafias: “Shpejt do të palosim”, “Do ta hamë kokën edhe ty”. Por këto nuk më trembin.”