Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duket se kanë bindur opozitën të rikthehet në Parlament gjatë muajit dhjetor. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë arritur dakordësinë për reformën zgjedhore dhe një gjë e tillë u konfirmua dy ditë më parë nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Sipas tij, reforma zgjedhore do të votohet në Parlament para Krishtlindjeve.
Ndërkohë, burimet i thanë gazetës se PD dhe PS e kanë arritur dakordësinë për këtë reformë, ndërsa bisedimet janë zhvilluar pa praninë e LSI. Por Kodi Zgjedhor ka përcaktuar se votimi i reformës zgjedhore në seancë parlamentare kërkon 84 vota, çka do të thotë se për miratimin e saj mazhoranca ka nevojë edhe për votat e opozitës. Sipas informacioneve, votimi i reformës elektorale pritet të shfrytëzohet nga opozita si alibi për tu rikthyer në Parlament.
Por cilat janë prapaskenat e rikthimit të partive opozitare në Kuvend? Burimet i thanë gazetës se dakordësia mes PS dhe PD për tu rikthyer në Parlament dhe për të votuar reformën zgjedhore është arritur falë faktorit ndërkombëtar.
Ata kanë patur një rol shumë të madh në këtë çështje, duke i kërkuar opozitës të shkojë në Parlament dhe t’i zgjidhë atje gjërat dhe madje SHBA-BE kanë lobuar shumë fort në këtë drejtim. Përveç thirrjeve të njëpasnjëshme që diplomatë të ndryshëm lëshonin nga Tirana për opozitën që të ndërpresë bojkotin parlamentar, në lëvizje janë vënë edhe disa eurodeputetë.
Sipas informacioneve, gjatë takimeve të ditëve të fundit të zhvilluar mes disa eurodeputetëve dhe përfaqësuesve të opozitës tema kryesore e diskutimit ka qenë pikërisht bojkoti opozitar. Eurodeputetët kanë ngulmuar që kjo gjë duhet të marrë fund dhe deputetët e opozitës janë bindur se nuk ka zgjidhje tjetër për betejë politike, përveç Parlamentit.
Rrëzohen planet e Metës dhe Berishës
Përmes strategjisë së ndjekur nga ndërkombëtarët për të rikthyer opozitën në Parlament, Sali Berisha dhe Ilir Meta marrin një godltje shumë të fortë. Që prej ndërprerjes së marrëdhënieve me Kuvendin në korrik, Berisha dhe përfaqësues të partisë së Ilir Metës kanë bërë thirrje të vazhdueshme për destablIlzlm .
Ish-kryeministri Sali Berisha, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi por edhe deputetë të tjerë të PD dhe LSI kanë kërkuar vazhdimisht mosbindje civile, protesta dhe rrëzim të qeverisë si edhe djegie mandatesh. I gjithë qëllimi i tyre ishte që nëpërmjet këtij plani të detyronin kryeministrin Edi Rama që të pranonte qeveri teknike. Duke mos marrë pjesë në Parlament dhe duke organizuar protesta të dhu.nshme, Berisha, Kryemadhi dhe deputetë të PD e LSI planifikonin që të bindin Ramën për qeveri teknike.
Synimi i tyre ishte që një gjë e tillë të arrihej në dhjetor. Kujtojmë që si Berisha, ashtu edhe Monika Kryemadhi patën paralajmëruar se në shtator do të ketë revolucion dhe do të nisin protestat e mëdha. Por diçka e tillë nuk u realizua dhe nuk mund të realizohet as në muajin dhjetor sepse tanimë opozita është drejt rikthimit në Kuvend falë këmbënguljes dhe ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.
Kjo do të thotë se SHBA-BE rrëzuan planet e Sali Berishës dhe partisë së Ilir Metës. Një tjetër fakt që tregon që opozita është tërhequr nga protestat dhe është shumë pranë ndërprerjes së bojkotit parlamentar dhe shpëtimit të mandateve është anulimi i protestës që kreu i PD, Lulzim Basha po planifikonte të mbante në datën 8 dhjetor. Sipas burimeve të gazetës, Basha u ka thënë vartësve të tij se mjaftojnë protestat që po zhvillohen te Unaza e Re dhe pjesëmarrja e opozitës në këto organizime.