Reçel me Kokrra të Plota Mandarinash – Delikatesë e Ëmbël Shqiptare


Është koha për mandarina.

Me ëmbëlsi të lehtë, delikate në shije e fantastike aq sa, vështirë se mund të hash një kokërr e më pas të ndalosh, mandarinat janë frutat më të dashura e ndër më të preferuarat e shqiptarëve.

AgroWeb.org sjell një recetë fantastike për të shijuar mandarinat si një ëmbëlsirë që të mbetet gjatë në mendje.

Më të mirat e stinës, të gatuara në mënyrën më speciale, tradicionale shqiptare atë të glikosë, gostisë së artë nga duart e amvisave shqiptare.

Një recetë për të mos u humbur ndërkohë që aktualisht tregjet janë të mbushura plot me mandarina.

Kjo ëmbëlsirë fantastike, jo vetëm që do të ëmbëlsojë të dashurit në familje por mund të ofrohet gjithashtu si një dhuratë unike për miqtë e të afërmit.

AgroWeb.org u përcjell më poshtë recetën për të përgatitur krejt lehtë në shtëpi këtë ëmbëlsi unike.
Si të përgatisim glikonë me mandarina në shtëpi
Përbërësit

1 kg mandarina (zgjidhni kokrra të vogla)

800 gr sheqer

3 gota me ujë

Lëngu i një gjysme kokrre limoni
Përgatitja

Për përgatitjen e kësaj recete, AgroWeb.org ju këshillon se mandarinat duhet të zgjidhen kokërr vogla, preferohen pa fara dhe përgatiten me gjithë lëkurë.

Mandarinat i pastrojmë me ujë të bollshëm.

I vendosim në një tenxhere me ujë dhe i lëmë të zjejnë rreth 30 minuta nga koha e nisjes së vlimit.

Në këtë moment, kur lëngu të jetë bërë në ngjyrëtë verdhë i heqim nga zjarri.

Hedhim ujin dhe mandarinat i shpëlajmë me ujë të ftohtë.

I vendosim sërish në tenxhere me ujë dhe i zjejmë për 30 minuta të tjera.

I heqim nga zjarri dhe i shpëlajmë sërish me ujë të ftohtë.

Më pas, i hedhim në tenxhere, shtojmë sheqerin dhe ujin dhe i vendosim në zjarr të ngadaltë që të zjejnë.

Gjatë procesit të zjerjes duhet të jeni të kujdesshëm që të hiqni shkumën që formohet.

Në momentin kur shkuma nis të shtohet edhe më shumë shtojmë lëngun e limonit dhe e trazojmë menjëherë për pak sekonda dhe e heqim nga zjarri.

Tenxheren me glikotë e mandarinave e lëmë të ftohet dhe më pas e hedhim në vazo qelqi.

Kjo gliko ruhet në frigorifer ose në vende të ftohta dhe të errëta. Shërbehet me kek, biskota, akullore por edhe me çaj apo kafe./AgroWeb.org