Ramës i del në shesh ‘gënjeshtra’ për oxhakun, reagon miku i tij që mezi ka siguruar një rezistencë (Foto)


Në programin “Xing me Ermalin”, përveç kryeministrit, vëmendje mori dhe një objekt, i cili më shumë se këdo, duket se ka shqetësuar të zotin e tij për famën e marrë. Bëhet fjalë për oxhakun e punuesit të qeramikës, Adi Dule. Kryeministri Rama është shfaqur në studion e Dules në një prej xhirimeve të programit, ku një objekt i diskutuar në media si tepër i shtrenjtë ra në sy, që është oxhaku i shumëpërfolur.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Dules, mik i ngushtë i kryeministrit Rama, i cili e ka cilësuar median, duke përdorur termat e këtij të fundit si “kazan mediatik”.

Dule ankohet se ka 40 vite që merret me punimin e baltës dhe ende nuk ka marrë famën e oxhakut të studios së tij.

“Ju rre menia se Ed Rama mundet me grushta si ato te boksiereve amatore qe zi hen neper garazhet e lagjeve te Bronksit, nderkohe qe ai eshte ne rastin me te keq 10 vjet para jush dhe ne rastin me te mire 100! “, i drejtohet Dule gazetarëve duke e ngritur në piedestal mikun e tij me të cilin shprehet se nuk e lidh asnjë interes material.

Por kush është artisti, i cili ankohet se i është mohuar fama dhe që u bë më në fund i njohur prej oxhakut të tij?

Ai në fakt nuk është aq i panjohur sa pandeh. Dule kandidoi për deputet në vitin 2005 për LSI-në përballë Andis Harasanit dhe u tërhoq nga gara. Kjo tërheqje e tij e befasishme u komentua në media asokohe. Për të thuhej se ishte paguar që të bënte një gjë të tillë.

Dy vite më parë, ai ishte me Ramën në New York në Maria Goodman Gallery, vend ku kryeministri kishte shfaqur punët e tij artistike. Ishte Dule ai që posoi në rrjetet sociale imazhe nga ekspozita, ku kryeministri shfaqej në prani të bashkëshortes, Linda Ramës, çfarë vërteton afrinë e tij me kreun e qeverisë.

Ndonëse në shtëpinë e tij, Dule ngrohet me një kalorifer të cilin e gjen me pak para në treg, për studion punuesi i qeramikës ka shpenzuar disa mijë euro, për t’u ngrohur prej një oxhaku të denjë.