Punësimi në Zvicër, ja hapat dhe procedurat që duhen ndjekur


Shoqata “Parandalo” zyrtarisht nga muaji mars do të hapë qendrën e saj, ku mund të kërkoni zgjidhje të problemeve eventuale edhe në gjuhën shqipe dhe të trajtohen të gjitha rastet falas dhe në mirëbesim. Nëse keni punuar në Zvicër për të paktën një vit, e pastaj keni mbetur pa punë, atëherë nuk ka vend për shqetësim, sepse Zvicra ka një sistem të jashtëzakonshëm të përfitimit të papunësisë.

Shumica e njerëzve, përfshirë edhe të huajt me leje pune të vlefshme, kanë të drejtën e 80 për qind të pagës së tyre të fundit. Ata që përfitojnë pagesë papunësie janë nën detyrime të caktuara, duke përfshirë takime të shpeshta me qendrën e punës dhe presionin për të aplikuar për punë.

Megjithatë, nuk është edhe kaq lehtë. Janë jo pak rregulla që duhet t’i ndiqni gjatë kohës që jeni i papunë në Zvicër. Pikërisht për këtë temë shoqata “PARANDALO” kishte organizuar një debat të dielën në Oerikon.

“I/e i papunë – Ku? Çfarë? Si? dhe orientimi në profesion!” janë disa nga pyetje që kanë marrë përgjigje nga Hanni Bütler, këshilltare për profesion, studim dhe karrierë dhe Ruzhdi Ibrahimi, ekspert i diplomuar i sigurimeve shoqërore.

Zvicerania Bütler shpalosi ofertën e qendrës “Laufbahnzentrum” në Zürich. Ajo thotë se i këshillojnë të gjithë të interesuarit për t’i orientuar më shpejt në tregun e punës.

Ofertat e tyre për profesion, studim dhe karrierë janë të dedikuara edhe për të huajt në Zvicër. Bütler ka bërë të ditur se janë 41 mijë vende pune të lira për zanat. Gjithashtu ajo ka thënë se ndërmjetësojnë njohjen e diplomave të huaja në Zvicër.

Nga ana tjetër, Ruzhdi Ibrahimi, ekspert i diplomuar i sigurimeve shoqërore, ka kërkuar nga të pranishmit që të kenë kujdes në rregullat që duhet të ndiqen në kohë sa janë të papunë, shkruan Albinfo.ch. Përveç afateve ligjore për paraqitjen e tyre në qendrat e punësimit RAV, të papunët duhet të jenë aktivë duke kërkuar punë.

“Sigurimi i papunësisë është i obligueshëm dhe punëtorët paguajnë kontribute për të siguruar veten e tyre kur të mbeten pa punë”, thotë Ibrahimi, duke treguar se sigurimi i papunësisë daton nga viti 1984, ndërsa origjinën e kanë nga sindikatat.

Në Zvicër operojnë 30 arka të papunësisë

Të pranishmit kanë marrë përgjigje për të drejtat e tyre dhe përgjegjësitë ndaj arkës së punësimit nëse sëmuren ose aksidentohen. Shoqata “Parandalo” edhe zyrtarisht do të hapë nga muaji mars qendrën e saj, ku mund të gjejnë zgjidhje problemet edhe në gjuhën shqipe dhe të trajtohen të gjitha rastet falas dhe në mirëbesim.

Në një qendër të tillë do të organizohen edhe aktivitete të tjera dhe se do të jetë e hapur edhe për komunitetet e tjera, përveç shqiptarëve, tha Valdete Hoti, kryetare e shoqatës “Parandalo”.

Përveç ndërmjetësimit të rasteve të ndryshme, shoqata “Parandalo” ishte bërë e njohur edhe me organizimin e tryezave, në të cilat të interesuarit, shumica shqiptarë, kanë marrë informacione të dorës së parë nga ekspertët e fushave të ndryshme.

Xhemal Selimi, organizator dhe themelues i shoqatës “Parandalo”, në fund ka ftuar të pranishmit që të anëtarësohen në shoqatën e tyre, duke iu bashkangjitur në aktivitetet e tyre. Financiarisht organizimin e tryezave e kishte mbështetur Enti për Integrim i qytetit të Cyrihut, ndërsa tani disa nga tryezat janë organizuar edhe në qytetin e Bazelit.