PO KALON DITËT E FUNDIT TEK NAPOLI/ Hysajt i ofrohet pagesa 20 milionë euro nga…


Çdo ditë e më tepër, e ardhmja e Elseid Hysajt po bëhet më e paqartë dhe mediat italiane raportojnë se ai po kalon ditët e fundit tek Napoli, duke qenë se dëshira e tij që të kalojë në Angli, ku po e kërkon Çelsi.

Megjithatë italianët nuk janë të bindur nga oferta që “Blutë e Londrës” kanë bërë karshi mbrojtësit shqiptar.

20 milionë euro janë të gatshëm të pagujë klubi i Çelsit, ndërkohë që drejtuesit e Napolit janë të bindur se Hysaj largohet vetëm nëse paguhet klauzola që arrin në 50 milionë euro.

Ndërkohë, ditën e djeshme ka pasur një takim kokë më kokë mes agjentit të lojtarit, Mario Xhufredi dhe drejtorit sportiv të Napolit, Kristiano Xhuntoli.

Ky i fundit, i ka siguruar Xhufredit se Ançeloti ka simpati për mbrojtësin shqiptar dhe se ka besim te ai, gjë e cila në fakt nuk po duket. Është pikërisht zgjedhja e Ançelotit, ajo që po e shtyn Hysajn gjithmonë e më shumë larg Napolit.

Tekniku italian, përveç se po e lë vazhdimisht në stol, nuk e aktivizon as në pjesën e dytë duke e kaluar si të tretë apo të katërt.

Megjithatë, drejtori sportiv shprehet se kjo situatë do të ndryshojë dhe se Ançeloti e ka në plane Hysajn për pjesën e mbetur të sezonit.