Duket si një përrallë, por është e vërtetë.
Në një shtëpi në fshatin Tuluzë të Francës, një burrë ka gjetur atë që mendohet se është piktura e fundit e Karavaxhos.
Ai kishte hipur për të riparuar një çarje të çatisë, por ka gjetur pikturën “Giuditta e Oloferne”.
Sipas “La Stampa” piktura është zbuluar në prill të 2014-ës, por është bërë e ditur vetëm ditët e fundit.
Në atë shtëpi jetojnë pasardhësit e një ish-zyrtari të lartë të kohës së Bonapartit, ndërsa ekspertët francezë të veprave të artit janë të bindur se ajo është autentike.
Gjithsesi, njohësit e artit italian nuk nxitohen, madje dyshojnë se ky është një imitim i shkëlqyer.
Piktura i është besuar muzeut të Luvrit, i cili po e studion për të dhënë përgjigjen përfundimtare.
Nëse vërtetohet autenticiteti i kësaj vepre, shteti francez do t’i paguajë familjes që e gjeti një shumë prej 100-120 milionë euro.