Nga Klaudia Malaj
Tetë kërkesat e studentëve duket se janë tepër kokëforte përballë propozimeve të kryeministrit të vendit Edi Rama. Edhe pse dialogu nuk i bindi, as propozimi më i freskët nuk i ka lëkundur.
Punësimi në shtet për studentët e ekselencës është një nga propozimet që u drejtoi Rama studentëve, si një marrëveshje e fshehur për t’i ulur në dialog.
Për dialog as që bëhet fjalë se mund të ulen studentët. Por, kjo është një nga pikënisjet e zhvillimit të shoqërisë. Nëse nuk do të kishim zhvilluar dialogun përmes shoqërizimit, shoqëria në mbarë botën do jetonte ende në shpella dhe nuk do ta njihte dritën e diellit.
Mediat duke dashur të jenë në kohë reale me transmetimet e tyre mundën të përballnin disa student dhe kryeministrin, por mesa duket diçka ngeci.
Duket sikur protestës së studentëve “iu harxhua fryma” tashmë është shndërruar në një pengesë për qarkullimin rrugor dhe asgjë më shumë. Edhe pse politika ka shpresa dhe nxjerr militant të qendrojnë para kryeministrisë përgjigjen më të mirë ua dhanë studentët kur ishin në shesh, dhe luftuan edhe kundër politikanëve që nuk bënë asgjë për studentët kur ishin në pushtet.
Një kauzë e drejtë e studentëve që largoi politikën dhe mori një “PO” nga kryeministri Rama për të tetë kërkesat që i kishin drejtuar Ministrisë së Arsimit me në krye Lindita Nikollën dhe Kryeministrit Edi Rama.
Nuk duhet ta duartrokasim aspak faktin që opozita e bashkuar mundëson ardhjen e studentëve në Tiranë dhe i udhëzon si të bërtasin më shumë. Po të kthehemi vetëm 5 vite pas në kohë, kemi një memorje të mirë për të kujtuar se opozita e sotme e bashkuar, PD dhe LSI ishte edhe në qeverisje sëbashku, me kryetarët Ilir Meta dhe Sali Berisha, dhe po njësoj vijonte fatkeqësia e studentëve.
Sot, përveçse mbushen faqet e gazetave të financuara nga partitë dhe zihen hapsirat në mediat e tjera po të financuara nga partitë, shohim se kthehet pllaka e medaljes. Ata që kurrë nuk u kujdesën për studentët sot hyjnë nën lëkurën e studentëve./ Lexo.al.