“Lugati”/ Në kafe me xhelatin, në spital me viktimat: Pse Lulzim Basha nuk u foli minatorëve për kupolën mafioze të kromit në Tiranë?!


Xhelati takon viktimat/ Pse Lulzim Basha nuk u foli minatorëve për “biznesmenët e kromit” të lidhur me PD dhe kupolën mafioze të kromit që ndodhet në Tiranë?

Arkiva

Lulzim Basha vizitoi sot ne spital njërin prej të plagosurve në minierën e Bulqizës, teksa shfrytëzoi momentin për të karikuar elektoratin e djathtë që të bëhej gati për të rrëzuar qeverinë.

Dhe Lulzimi është bërë mjeshtër për të shfrytëzuar nga pikëpamja propogandistike ngjarje të tilla të trishtueshme, edhe pse shumica e qytetarëve të këtij vendi e refuzon atë, gjë që shprehet më mirë në zgjedhjet e përgjithshme e lokale, ku Lulzim Basha shkon nga disfata në disfatë.

Minatorët po përballen përditë me vdekjen, por kjo histori nuk fillon tani.

Në tetë vitët që drejtuan demokratët, në minierë nuk u vu dorë për kushtet, u lëshuan licensa shfrytëzimi pa asnjë lloj kriteri dhe ishte vetë PD që krijoi “biznesmenët e kromit”.

Çfarë ishin këta “biznesmenë”? Këta ishin të fortët e zonës, banditë dhe rrugaçë që nën qeverisjen e PD-së morën kontrollin e galerive, duke i shfrytëzuar ato barbarisht aq sa i lanë pa asnjë kusht teknik sigurie dhe u krijuan rrethanat që të ketë aksidente të shumta me pasojë vdekjen.

Po me kë ishin të lidhur këta biznesmenë të kromit?

Natyrisht me zyrtarët e PD-së në Tiranë, deputetë, ministra etj, të cilët merrnin përqindjen më të madhe të fitimeve.

E ndërsa minatorët e thjeshtë merrnin një rrogë modeste sa për të mbajtur “frymën gjallë”, “biznesmenët e rinj të kromit” nisën të mbushnin thasët me para. Llogaritë ishin të thjeshta.

Kur të bëheshin tre thasë me para, dy do të shkonin në Tiranë te shefat e mëdhenj në parlament dhe në krye të institucioneve, ndërsa një thes për të bërë investime në lokale, vila e apartamente në Tiranë dhe në bregdet.

Populli i Bulqizës i di mirë kush janë këta “biznesmenët e kromit” sepse gjysma e tyre, me porosi nga Tirana, u vranë nëpër atentate, aksidente etj, ose “korrën” njëri-tjetrin nga rivaliteti për të pasur sa më shumë galeri nën kontroll.

E ndërsa në bazë bandat bënin namin me njëri-tjetrin, në kryeqytet kupola mafioze e kromit investonte paratë që vinin nga nëntoka e Bulqizës në vila, prona në bregdet, apartamente e lokale.

Me ardhjen e koalicionit të majtë në pushtet situata nuk u përmirësua.

U pakësuan vrasjet e “biznesmenëve të kromit”, por u rrit hajdutëria në nivel ekstrem.

Nisi shfrytëzimi barbar i çdo galerie dhe pike ku kishte mineral kromi.

Pusin qendror e mori më 2013 “Alb Chromi” i Samir Manes, që po shfrytëzon barbarisht sektorin më të pasur në zonën e Bulqizës. U shtuan licensat e shfrytëzimit dhe u vunë në krye të punëve një sërë e re drejtuesish, nga ata që s’të lënë as kockën e të hanë për së gjalli.

400 dollarë toni besohet se është fitimi i kromit të papërpunuar, por marifetxhinjtë dhe mafiozët e kromit në Tiranë, duke shfrytëzuar konjukturën ndërkombëtare që lidhet me këtë mineral të rëndë, kanë ditur të shumëfishojnë të ardhurat, sepse dihet që kromi ka peshë specifike në shumë degë të industrisë metalurgjike, ushtarake e kimike, por edhe në shumë degë të tjera, sepse përbën materialin e parë për prodhimet zjarrduruese.

Që të arrihet realizimi i skenarit, duhet që në këtë konjukturë të futen institucionet më të larta të shtetit, përfshi ministrat, prandaj dhe kromi i ka përlyer të gjithë dhe në të kanë ndyer duart shumica e politikanëve të korruptuar të këtij vendi.

Kalimi i minierës qendrore ne duart e oligarkut Samir Mane, vetëm sa ka rritur shfrytëzimin barbar të minierës dhe të pasurisë nëntokësore në zonën minerale të Bulqizës, ndërsa banorët e thjeshtë të asaj zone shohin të rritet përditë e më tepër mjerimi dhe punëtorët përfundojnë të plagosur e te vdekur thuajse cdo ditë.

Investime për zonën? As që bëhet fjalë, as spitalin nuk e mbajtën dot këta mafiozë, e kanë shkretuar cdo gjë në Bulqizë, një mjek për urgjencën nuk ka, e cfarë mund të pritet tjetër?

Në këto kushte, takimet e Lulzim Bashës me minatorët janë propogandë partiake, sepse njerëzit e Lulit dje dhe sot, janë duke vjedhur për vete kromin e Bulqizës.

Edhe ortakët e tij të LSI-së vjedhin kromin. Të gjithë, pa përjashtim, prandaj historia do t’i ndëshkojë rëndë këta kriminelë me kollare që hanë si të babëzitur pasurinë publike dhe kromi është një pasuri që futet në resurset e papërsëritshme.

Shfrytëzimi barbar i minierës dhe golerive të tjera të kromit në Bulqizë, është një dëm që u bëhet brezave të ardhshëm, prandaj nuk ka ujë të shenjtë e nuk ka Zot që do të shlyejë mëkatet e maskarenjve./Pamfleti