Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ka bërë thirrje të rinjve të LSI-së që të dalin në protestë bashkë me studentët. Sipas saj o sot o kurë duhet protestuar për fëmijët tanë, duhet protestuar për të rrëzuar Edi Ramën. Thirrja e saj ishte gjithashtu edhe për demokratët. Deklaratat Kryemadhi i bëri gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në Tiranë.
“Kemi parë pas 28 vitesh një lëvizje të tillë. Kur i pashë që rrinin në -2 gradë harrova që jam politikane dhe mendova se sa bujar zoti ka qenë me mua dhe me Edi Ramën. Mendova sa bujarë kishte qenë zoti me ministrat dhe oligarkët që marrin paratë.
E ndjeva veten time në mëkat që nuk bëj asgjë. Që fëmijët e mi hanin tre vakte dhe flinin ngrohtë dhe ata 140 mijë studentë nuk hanë një vakt dhe duhet të paguajnë ryshfet për t gatuar dhe për të larë rrobat në konvikte.
U ndjeva mëkatare sepse nuk kam bërë asgjë për ta dhe sot duhet të hap gojën dhe të flas. Mendova që pas atij skenari të turpshëm që dha sot në Kuvend, ku kërkon negociata me fëmijë të pangrënë dhe me fëmijë që bëjnë punë për të paguar librat. Kërkon negociatat me fëmijë të pa veshur. Hidhni kartën e anëtarësisë dhe dilni me studentët. Merrni flamurin kombëtar dhe hidhni flamurin e partisë.”- tha Kryemadhi.