Lazio është duke kaluar një moment mjaft negativ, pasi në katër ndeshjet e fundit kanë marrë katër barazime. Skuadra është vënë para një përgjegjësie të madhe dhe është kritikuar shumë, ku ndër më të spikaturit ka qenë portieri i kombëtares kuqezi, Thoma Strakosha, sidomos pas golit të dytë në barazimin 2-2 me Sampdorian.
Ndaj këtyre kritikave ka reaguar edhe vetë portieri shqiptar duke folur publikisht në media për arritjet që ka bërë me Lazion dhe duke thënë se kritikat nuk e dëmtojnë atë por vetëm e bëjnë më të fortë.
Në mbrojtje të gardianit kuqezi ka dalë edhe Sergej Milinkovic-Savic, i cili ka miqësi të mirë me Strakoshën. Ai postoi në Instagram një foto të një gazete ku Strakosha i quante si: “Bla Bla Bla”, kritikat ndaj tij. Mesfushori e ka shoqëruar foton edhe me fjalën serbe “brate” që në shqip përkthehet vëlla duke e etiketuar vetë Strakoshën.
Kjo nuk është ndonjë gjë e çuditshme mes dy shokëve të një skuadre, por duke parë faktin se Milinkovic-Savic është nga Serbia dhe Strakosha shqiptar dhe duke ditur ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluar e bënë këtë miqësi të veçantë, aq më shumë që një serb thërret vëlla një shqiptar.