DigitAlb me bashkëpunimin e fondacionit “Lorik Cana 5”, në kuadër të kontributit për artin dhe kinematografinë, sjell pranë publikut në një mbrëmje private premierën e filmit dokumentar “Lorik”, i realizuar nga gazetari Andi Decka.
Filmi dokumentar Lorik është një prodhim i DigitAlb dhe i realizuar nga autori Andi Decka, dedikuar jetës dhe karrierës së kapitenit legjendar të Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana.
Ky dokumentar i rrallë sportiv, i realizuar si asnjëherë më parë, pa narracion dhe me historinë e karrierës së tij, rrëfehet nga vetë Lorik Cana dhe personat e afërt që ndikuan në formimin dhe zhvillimin e tij si person dhe si futbollist.
Filmi dokumentar është i ndërtuar në një rend kronologjik dhe përshkon të gjithë etapat e rëndësishme në jetën dhe karrierën e Lorikut, që nga fëmijëria në Gjakovë, hapat e parë të futbollit, transferimi i vështirë te PSG, kalimi i bujshëm te Marseille e deri te Sunderland, Galatasaray e Lazio.
Zgjedhja e Kombëtares Shqiptare, debutimi në Kosovë në miqësore dhe ndaj Zvicrës në një ndeshje zyrtare, në qershor të vitit 2003, sfida me Greqinë në 2004 e deri te eliminatoret e fundit e Kampionati Europian zënë një vend të rëndësishëm në filmin dokumentar, që sjell pamje ekskluzive të jetës private të Lorik Canës, imazhet e rralla të debutimit të tij në një miqësore me Kosovën apo dhe materialet e pastruara në cilësi HD të periudhës së karrierës së tij në mesin e viteve 2000 te Olimpique Marseille.
Filmi bën gjithashtu bashkë dhe disa prej personazheve të njohura në futbollin botëror, si Djibril Cisse, Gheorghe Hagi, Pape Diouf, Fabio Celestini, Edvin Murati, Etrit Berisha apo dhe familjarë të tij, si bashkëshortja Monica Cana, që për herë të parë flet për jetën private, njohjen dhe vështirësitë e sukseset e karrierës së Lorik Canës.
https://www.facebook.com/Digitalb/videos/575897529531654/?t=0
Filmi është xhiruar në 10 vende; Romë, Marsejë, Stamboll, Lozanë, Colmar, Gjakovë, Prishtinë, Shkodër, Paris dhe Tiranë dhe është i pari realizim shqiptar i të tilla përmasave mbi jetën dhe karrierën e një sportisti shqiptar.
Prania e mediave në këtë event është e mirëpritur në orën 19:30 sipas axhendës së përshkruar më poshtë.
AXHENDA E PREMIERËS PER MEDIAT
Hotel Plaza– 5 dhjetor 2018
19:30 – 20:00 Hyrja në sallën e shfaqjes së filmit për mediat
20:00 – 20:30 Aktiviteti për prezantimin e filmit dhe të fondacionit “Lorik Cana 5”
20:30 Cocktail për të pranishmit