Duke patur si kut matës për një ministër të jashtëm bio, pikërisht Aldo Bumçin, kryeministri i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Edi Rama caktoi në vend të Ditmir Bushatit, ministrin e ri të Jashtëm 28 vjeçar Gent Cakaj.
“Ti Ditmir kushtoju Shkodrës. Cakaj ka lexuar një haIe libra, ka një grusht baçelorash dhe masterash, kështu që punët e jashtme i njef në majë të gishtave. Le pastaj që është i pjekur, i matur si një 50 vjeçar safi, nuk bën kurrë veprime të nxituara”, i tha Rama, dhe Genti sapo e dëgjoi, fap hapi një llogari zyrtare në Twitter: “Gent Cakaj, ministri i Jashtëm i Shqipërisë”. Dhe pak më poshtë: “Ku e ku ma i mir se Aldo Bumçi!”
Gojët e Liga mësojnë se si i pjekur që është, Genti në fakt nuk deshi ta hapte atë llogari.
Por siç u shpreh në rrethe të ngushta prej nga llafi nuk del kurrë, “deshta me ja thy hu ndët një shoku tem t’shkolls, që sapo e emëruan shef salle në një restorant në Gjakovë, e vuni direkt titullin e ri në facebook. Maxhun, si t’ka lala tash? Ti shef salle e un shef diplomaciet!”
Duke qenë se shef rrushi rrushin dhe bëhet ftua, zërat thonë se Hirësia e tij mahnitet gjithmonë nga dikush që ka lëçitur. Këtë e pranon edhe vetë Cakaj.
“Asht e vërtet se unë kam lexue nji ha le libra. E meqë ra fjala, gjysmat e tyre i kam lexue në h ale, sepse vetëm aty ka qetsi dhe paqë. Por unë jam mediokër kundrejt një këshilltarit tem kur isha zv.ministër. Atij s’ja them dot emnin se pas dy muajsh mbush 18 vjeç, pra asht hala minoren. Po aq libra sa ka lexu njaj, un nuk i kom pa bashkë. Aj kish me kon nji ministër i jashtëm fenomenal, gjenial,” tha Cakaj në rrethin e ngushtë të mësipërm.
Ndërkaq, formula Rama për një ministër të jashtëm jashtë skemave dhe kornizave të njohura, ka zënë gafil gjithë diplomacinë botërore.
Mësohet se në heshtje, për t’iu përgjigjur Ramës me sadopak reciprocitet, në Moskë, Lad Putini po kërkon ta zëvendësojë Lavrovin me një kandidat nga emigracioni i hershëm rus në Paris, ndërsa në SHBA Trump është fiksuar për ta ndërruar Pompeon me një specialist PPP-je, mundësisht shqiptar. Mes kandidatëve është edhe Baulja…
Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike në prag të falimentit për shkak të konkurrencës së pandershme nga qeveria