Në orët e para të mëngjesit të sotëm në qiellin e Shqipërisë u shfaq eklipsi i Super Hënës së “përgj akur”, quhet e tillë pasi gjatë këtij eklipsi, Hëna, sateliti i vetëm natyror që ka Toka, ndryshon nga e argjendtë (ose gri) në të kuqërremtë, për shkak të bllokimit të dritës së diellit nga hija e Tokës, kur Toka kalon mes Diellit dhe Hënës.
Përmes fotografive të shkrepura në Tiranë nga gazetari dhe fotoreporteri i Shqiptarja.com e Report TV Antonio Çakshiri, ju sjellim pamjen se si u duk ky fenomen në qiellin e kryeqytetit, ndonëse pati pak vranësira.
Eklipsi që mund të shikohej me sy të lirë filloi me zhdukjen dalëngadalë të Hënës së plotë në orën 04:30 të mëngjesit duke arritur në pikën kulmore kur Hëna zhduket totalisht dhe merr një ngjyrë të zbehtë të kuqërremtë, kjo ndodhi në orën 05:40.
Në fotot e kapura nga periferia e kryeqytetit duket eklipsi i Hënës, teksa sateliti ynë natyror ulet në horizont.
Gjatë eklipsit të plotë Hëna u zhduk nga ora 05:40 deri në orën 06:10 ndërsa fenomeni përfundoi në orën 07:00 teksa sateliti ynë natyror u venit në horizont, në drejtimin perëndimor të vendit.
Eklipsi i plotë i Super Hënës për herë të fundit ndodhi në korrik 2018 por nuk u pa në të gjithë botën, ndërsa eklipsi i sotëm u pa në Europë, Azi, Afrikë, Amerikën Veriore (SHBA, Canada, Meksikë, etj) dhe atë Jugore (Brazil, Argjentinë, Kolumbi, etj) si dhe në Arktik.
Fenomeni i parë i mahnitshëm natyror për këtë vit do të pasohet nga fenomene të tjera astronomike në muajt në vijim që gjithashtu do të pasqyrohen në Shqiptarja.com.
Një tjetër eklipsi i Hënës, por që do të jetë pjesërisht i dukshëm në Shqipëri do të ndodh në 15 korrik të këtij viti si dhe në vitin 2022 (pjesërisht), por eklipsi i plotë i Super Hënës si ai që u shfaq sot do të ripërsëritet në vendin tonë vetëm pas 6 vitesh në Shtator të vitit 2025.
Si ndodhi eklipsi
Në 11 Nëntor 2019 do të ndodh transiti i Mërkurit përpara Diellit, planeti më i afërt pranë Diellit. Ky fenomen i rrallë ndodhi për herë të fundit para 3 vitesh dhe mund të shihet vetëm me pajisje të posaçme teksa planeti Mërkur do të duket si një pikë e vogël e zezë që kalon para Diellit.