Doktor Elton Peçi mban në kokë kapelen e mjekut a thua sa ka dalë nga salla e operaclonlt, dhe me gjyslykët që i ulen diçka më poshtë se normalja, e sytë që i ndrisin jep lajmin e gëzueshëm.
“E more vesh? 62-vjeçarja lindi në Itali. Eshtë sukses i madh”, tregon doktori për newsb.omb.al. Nuk e fsheh gëzimin doktori i obstetrisë-gjinekologjisë, që shërben prej vitesh, që kur u kthye nga jashtë, në Spitalin Amerikan të Tiranës. Si një mjek që sheh se puna e tij ka rezultuar e suksesshme me fertilizimin “In Vitro” në Tiranë, ai nuk mund të fshehë edhe dëshirën se do të kishte dashur që gjithë procesi të ndodhte në Shqipëri.
“Zonja preferoi të lindë në Itali, por gjithë procesi u ndoq këtu tek ne” thotë doktor Eltoni duke I gëzuar ardhjes në jetë të vajzës me peshë 3 kilogramë e 200 gramë në spitalin “San Giovanni” të Romës.
Rasti i pacientes italiane është ndjekur në Spitalin Amerikan nga ekipi i IVF i drejtuar nga Dr. Elton Peçi dhe embriologu Dr. Besfort Ferhati. Është thyer kështu rekordi i vitit 2013 i po këtij ekipi, kur u raportua lindja e parë e një femre në moshën 56 vjeçare pas një procedure IVF. Foshnja ka lindur në Romë me operacion çezarian të planifikuar dhe me epidural. Përveç moshës së avancuar, kjo procedurë është zgjedhur edhe për faktin që gruaja nuk ka një partner.
“Kam provuar gjatë në Itali për të realizuar dëshirën time për t’u bërë nënë, por pa sukses. U konsultova dhe vendosa të provoj jashtë Italisë. Jam shumë e lumtur që zgjodha Shqipërinë dhe gjeta këtu këtë shërbim të specializuar, dhe mjekë të komunikueshëm dhe me të gjitha përgjigjet për mua. Këtu ndihem më shumë si në shtëpinë time, sesa në Itali. Më duket e pabesueshme kur mësova lajmin e shtatzënisë. Uroj që gjithçka të shkojë mirë deri në fund”, kishte thënë më herët pacientja A.M gjatë një vizite kontrolli në Spitalin Amerikan.
Nuk është hera e parë që në Spitalin Amerikan drejtohen paciente të huaja për t’iu nënshtruar IVF. Mosha 62 vjeç përbën rekord për Shqipërinë, ndërsa për Italinë kjo është hera e dytë që një grua në këtë moshë bëhet nënë përmes Fekondimit in Vitro, pas rastit të para dy viteve.