Çfarë paralajmëron Meta me shprehjen: Do marr një vendim shumë kurajoz?


Presidenti Ilir Meta tha të premten në mbrëmje se ende nuk ka marrë një vendim për të dekretuar ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshi, të propozuar nga kryeministri Edi Rama.

Kushtetuta e vendit i lë Presidentit 7 ditë kohë afat për emërimin e një ministri. Ky afat skadoi mesnatën e së premtes.

E megjithatë kreu i shtetit tha se ai “do të gjejë mënyrën e duhur për t’u shprehur në kohën e duhur” pa u shprehur se cilat ishin pengesat që e kishin detyruar të kërkonte kohë për këtë vendim.

Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht raste të mos dekretimit të një propozimi për emërimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Veçanërisht e interpretuar ka qenë mbrëmë një frazë e Metës ku ai flet për një vendim “shumë kurajoz”, të cilën disa e shohin edhe si paralajmërim për dorëheqje të tij.

“Dua të them që çdo President ka për detyrë që me veprimet e tij, apo me mos veprimet e tij, të marrë përgjegjësinë e duhur publike dhe të tregojë përgjegjshmëri maksimale. Kështu që në këtë drejtim, askush të mos ketë dyshime që unë, përgjegjësitë e mia, sidomos, në këtë situatë do ti ushtroj në mënyrë mjaft maksimale dhe mjaft kurajoze”.