Birësoi para 5 vitesh Alteon, gazetarja e njohur tregon si ka ndryshuar jeta e saj: Kam qenë njeri që as pemë s’mbaja në shtëpi


Fjodora Fjora, gazetarja e njohur dhe shumë e dashur për publikun shqiptar ka rrëfyer si ka ndryshuar jeta e saj që nga momenti që vendosi të birësojë Alteon e vogël.

Në një intervistë të dhënë “Bordo”, Fjodora ka treguar për 5 vitet e bukura të jetës së saj duke rrëfyer sa fort e ka ndikuar Teo i saj dhe sa ndryshe janë tashmë festat me të pranë.

”Ka ndryshuar shumë! Unë kam qenë një njeri që as pemë nuk mbaja në shtëpi, duke qenë se familjen time e kisha jashtë Shqipërisë dhe unë vetë isha gjithë kohës jashtë shtëpisë për shkak të angazhimeve.

Të them të drejtën nuk e ndjeja fare të krijoja në shtëpinë timë një atmosferë festash. Por, që ditën që Teo ka hyrë në shtëpi gjithçka ka ndryshuar. U shtuan dritat, pema, zbukurimet, dhuratat, momentet ngazëlluese, pra i gjithë përjetimi i festave me ardhjen e tij është krejt ndryshe.

Më kujtohet viti i parë kur Teo ishte me mua dhe vendosa që Vitin e Ri ta bënim të dy bashkë, tashmë si familje por nuk gjej fjalë të përshkruaj emocionin që ndjeja. Kisha nevojë të rrija vetëm me të, e të krijonim të dy bashkë atë atmosferën e ngrohtë të familjes”, ka thënë ndër të tjera Fjodora.