Bashkim familjar në Itali? Dalin rregullat, ja sa euro duhet të ketë burri që të marrë gruan e familjen


Nëse keni bashkëshortin që jeton në Itali, për të mundësuar bashkimin familjar gjatë 2019 duhet të ketë të ardhura minimale 8.9 mijë euro në vit.

Nese shqiptari rezident atje dëshiron të tërheqë të gjithë familjen (deri në 4 persona) atëherë të ardhurat e tij duhet të kenë disa zero më tepër.

Të gjithë emigrantët që do të përtërijnë këtë vit lejeqëndrimin, apo të kërkojnë lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë (karta e qëndrimit), duhet të tregojnë se kanë të ardhura vjetore jo më të ulëta se çeku: 5.954,00 euro. Kush do të nisë praktikën për të sjellë në Itali bashkëshortin me bashkim familjar duhet të tregojë se ka të ardhura sa të paktën 1,5 herë çeku social.

Krahasuar me një vit më parë, ka pasur një rishikim nga Instituti Nacional për Sigurimin Social, duke e rritur me më shumë se 100 euro tarifën e shumës që emigranti me lejeqendrimi duhet të zotërojë, që të tërheqë familjen.

Në rregullat e reja që po bëhen publike në Itali, bazuar në Tekstin Unik për Emigracionin, parashikohet se kush kërkon bashkim familjar të ketë “të ardhura minimale vjetore nga burime të ligjshme jo më të ulëta se çeku social, plus gjysmën e shumës së çekut për çdo familjar që do të sillet në Itali. Çeku social është vendosur në janar të vitit 2019 në shifrën e 5.954 euro, ose 6 euro më shumë në muaj se në vitin 2018.

Sipas rregullores, bëjnë përjashtim fëmijët, për bashkimet e të cilëve nën moshë madhore, kërkohen të ardhura vjetore jo më të ulëta se dyfishi i çekut social.
Nga ana tjetër, ligji specifikon se “për përcaktimin e shumës së të ardhurave merren në konsideratë edhe të ardhurat e përgjithshme të familjarëve që bashkëjetojnë me kërkuesin”.

Në 40 qytetet të Italisë, komuniteti shqiptar përbën shumicën ndër të huajt e pajisur me leje të rregullt qëndrimi në Itali. Të huajt me leje të rregullt qëndrimi në këtë shtet janë rreth 3 milionë e 700 mijë sipas të dhënave të ISTAT, Institutit Italian të Statistikave. Dy komunitetet më të përhapur janë ai shqiptar dhe maroken, të cilët më vete përfaqësojnë rreth një të katërtën e totalit. Monitor