Basha: Tahiri meriton burgun, dhe jo arrestin në shtëpi


Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Basha shkruan në rrjetin social “Facebook” se nuk po flitet për një vendim të marrë nga drejtësia, por nga kryeministri Edi Rama.

Kreu i opozitës thotë se Saimir Tahiri sot duhej të ishte në qeli, dhe jo në arrest shtëpie.

Sipas Bashës, provat e sjellura javët e fundit nga qeveri partnere rikonfirmojnë kriminalizimin e Tahirit.

Statusi i plotë

Arresti i shtëpisë i Saimir Tahirit nuk është vendim i drejtësisë, por vendim politik i Edi Ramës. Ky është dorëzimi i kontrolluar që paralajmëruam vetëm 3 ditë më parë, pjesë e paktit mafioz Rama-Tahiri.

Saimir Tahiri duhet të ishte sot në qeli dhe jo në arrest shtëpie. Qeveri partnere kanë sjellë javët e fundit të tjera prova që rikonfirmojnë se Saimir Tahiri ishte pjesë aktive e organizatës kriminale të Habilajve për trafikun e drogës.

Arresti i shtëpisë për Saimir Tahirin është mashtrimi i rradhës i Edi Ramës ndaj shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Kjo është po kështu prova se lëvizjet e paligjshme në prokurori kanë për qëllim mbylljen e dosjes Tahiri.

Tahiri nuk burgoset dhe as nuk dënohet sepse e mbron dhe e ruan Rama. Sepse Tahiri dhe Rama janë një.