Gazetari Artan Hoxha është shprehur se në vitin 2016 nga grupe shumë të sofistikuar kriminale janë grabitur banesat e tre ministrave në Tiranë.
Po ashtu, Hoxha deklaroi në emisionin ‘Opinion’ se para dy viteve në Tiranë janë grabitur edhe tetë banesa dhe mes tyre ishin banesa të drejtuesve të lartë të shtetit, ndërsa u vodhën shuma të mëdha parash.
Ai sqaroi se këto grabitje, krijuan idenë se ishte një bandë e sofistikuar grabitësish që kishin informacion të klasifikuar ose një skuadër policore që kishte informacion për shkak të përgjimeve; informohej se kush nga drejtuesit e institucioneve merrte para dhe ata më pas i grabisnin banesën.
Sipas tij, tre banesat e ministrave që ranë preh e grabitjes nga ky grup, nuk rezultojnë të denoncuara në polici për shkak të shumave që pretendohet se iu janë gjetur të fshehura në banesë nga grabitësit.
“Ju kujtohet ai gjyqtari kur i shkoi operacionalja në shtëpi, kishte 300 e ca milion lekë të vjetra në shtëpi. Para dy viteve, brenda 6 muajsh në Tiranë ka ndodhur tetë grabitje, aq sa u krijua ideja se ishte një bandë e sofistikuar grabitësish që kishin informacion të klasifikuar ose një skuadër policore kishte informacion për shkak të përgjimeve se kush po merrte lek nga drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe shkonin i grabisnin banesën. Në atë kohë u grabitën banesat e tre ministrave për gjashtë muaj”, përfundoi Hoxha.