“Alo, dua dy pica”, historia e tmerrshme e përndjekjes së gjimnazistes: Të vras ty dhe mamin tënd po s’u lidhe me mua


Ky që shihni ne foto eshte një shpërndarës picash, i cili përndiqte një gjimnaziste.

Gjykata e Tiranës ka dënuar ate me 3 vjet e 8 muaj burgim.

Por si nisi e gjithe historia?

Klaudeni u njoh me gjimnazisten pasi kjo e fundit kishte porositur një picë në picerinë ku ai punonte. Më pas, i riu, i cili rezultoi se ishte edhe përdorues i lëndëve narkotike, i ka kërkuar vajzës që të lidhej me të. Ajo nuk ka pranuar një gjë të tillë dhe aty nisi edhe përndjekja.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, gjimnazistja M.G. është përndjekur përreth një muaj nga i pandehuri. E dëmtuara ka shpjeguar në Prokurori se më të është njohur, teksa ka blerë një picë dhe pas kësaj ka kryer edhe një porosi tjetër.

Klaudeni i ka thënë në porosinë e dytë se nuk i dëshironte paratë dhe ia kishte dhënë ato mbrapsht. Më pas, ai ka nisur të ndjekë gjimnazisten çdo ditë duke nisur edhe ta kërcënojë.

“Po nuk u bëre e imja, unë do të të vras”. Sipas vajzës, ai e telefononte çdo ditë dhe i kërkonte lidhje.

Kulmi arriti më 28.09.2017, kur rreth orës 15:00 i pandehuri ka telefonuar gjimnazisten, por kjo e fundit nuk i është përgjigjur. Më pas ai i ka dërguar një SMS që të hapte telefonin dhe e ka telefonuar duke i thënë:

“Do të vijë tani te shtëpia dhe do të të vras, ty dhe mamanë tënde. Nuk dua t’ia di për burg dhe nuk e kam problem që të bëj përsëri. Kam tre vëllezërit që do të bëjnë keq ty dhe mamasë tënde. Nuk ke zgjidhje tjetër, o të marr ty o s’ka”.

Sipas dosjes, Klaudeni është ngjitur në banesën e gjimnazistes dhe në atë moment nëna e saj ka telefonuar Policinë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dy punonjës policie.

Njëri prej tyre ka kontaktuar me të dëmtuarën, ndërsa tjetri i ka zënë pritë të pandehurit te shkallët e pallatit. Mirëpo, Klauden M. e ka qëlluar punonjësin e policisë me një mjet të fortë në kokë dhe ka tentuar të largohet.

Por arratia e tij nuk ka zgjatur shumë, pasi është arrestuar nga Policia pak metra më tutje. Prokuroria konkludon se, si pasojë e veprimeve të tij gjimnazistja dhe nëna e saj janë ndier të kërcënuara dhe të përndjekura.