Prokurori më me fat në botë, bleu dyqan 132 m² me para që i fitoi në loto


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin në Prokurorinë e Apelit Tiranë, Luan Kaloçi, me arsyetimin se nuk justifikon pasurinë me burime të ligjshme financiare si dhe për deklarim të rremë.

Në 8 qershor të këtij viti, prokurori Kaloçi i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rrëzimin e vendimit të KPK dhe konfirmimin e tij në detyrë.

Në 23 tetor po të këtij viti, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK, duke përjashtuar përfundimisht prokurorin Luan Kaloçi për 15 vite nga drejtësia.

Në vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit reflektohen shpengimet e prokurorit Kaloçi për të justifikuar blerjen e pasurive të paluajtshme.

Dyqan me para bixhozi

Përpos të tjerave, prokurori i Apelit në Tiranë, Luan Kaloçi, pretendon se në vitin 2003 ka blerë një hapësirë për dyqan në Tiranë, me paratë e fituara në loto sportive nga djali i tij, në atë kohë vetëm 17 vjeç. Ambienti është deklaruar me vlerë 5,8 milionë lekë dhe me sipërfaqe 86 m² në atë kohë.

Si burim, prokurori ka deklaruar vetëm paratë e fituara nga djali i mitur në bixhoz. Ndërkaq, në deklaratën për Vetingun, prokurori, për të njëjtën pasuri të paluajtshme, e deklaron me sipërfaqe 132 m², por me vlerë 5 milionë lekë.

Ndërsa në kontratë dyqani rezulton si dhurim. Gjithashtu, prokurori ka dhënë versione të ndryshme në ILDKPKI dhe para KPK për këtë pasuri, shkruan Shqiptarja.com.

“Dyqani nuk është i regjistruar në ZVRPP Tiranë. Dyqani është blerë në fazën karabina në shumën 5.800.000 lekë dhe është përfunduar me shpenzimet e mia në shumën rreth 1.200.000 lekë, shpenzime të bëra në vitin 2003.

Si burim për kryerjen e shpenzimeve kanë shërbyer të ardhurat e mia nga paga dhe të bashkëshortes. Ndërsa vlera e dyqanit si karabina është mbuluar nga fitimi në lotari sportive, për të cilat kam paraqitur mandatpagesat në kontrollet paraardhëse”, ka deklaruar prokurori.