Shqipëria kundër taksës së Kosovës për Serbinë


Kosova ka vendosur që të rrisë taksën ndaj mallrave serbe, duke e çuar në 100%.

Por, ky vendim i qeverisë së Kosovës është vlerësuar si jo i shëndetshëm për ekonominë e dy vendeve, nga ana e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Në një intervistë për televizionin Scan, ministri Ahmetaj i sugjeron Kosovës të mos marrë masa të tilla me asnjë vend, pasi vendosja e tarifave shkon si kosto mbi qytetarët.

Pas deklaratave të ardhura nga Brukseli, edhe Berlini është shprehur kundër vendimit të qeverisë Haradinaj për rritjen në 100 përqind të taksave doganore për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.

Siç bëri të ditur për DW një burim nga qeveria gjermane të enjten në Berlin, Berlini, sikurse edhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin Hahn, e shohin këtë rast si shkelje të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, shkurt CEFTA.

I njëjti burim tha për DW:

Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Prishtinës që ta tërheqë këtë vendim”
Por, njëkohësisht, Gjermania bën thirrje në përgjithësi që Kosova dhe Serbia të bëjnë ç’është e mundur për të shënuar përparime në normalizimin e marrëdhënieve mes njëra-tjetrën.