“U!?” I përmendin “Vorio Epirin”, reagimi epik i Enver Hoxhës në 1983


Sot kur ndodhin trazime si ai i Bularatit, për të cilin çdo shqiptar ndihet keq, mendja shkon tek diktatura.

Si mund të tingëllonte termi Vorio-Epir mes zyrtarëve komunistë dhe si përpiqej Greqia të shënonte një precedent më 1983 përmes një letre dërguar qeverisë shqiptare të kohës?

Ky dokument botuar sot nga DITA është shkëputur nga procesverbali i mbledhjes se sekretariatit të Komitetit Qendror i datës 16 dhjetor 1983.

Ndër shumë çështje, kryesisht të ekonomisë së Shqipërisë por edhe të politikës ndërkombëtare, të pranishmit në këtë mbledhje, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Lenka Çuko dhe Vangjel Çërrava, kanë diskutuar edhe për një varg çështjesh diplomatike e historike.

Duke u nisur nga një letër dërguar nga Athina për verifikimin e një personi në Himarë, duke e cilësuar me termin Vorio-Epir, nisin diskutimet rreth marrëdhënieve të vështira me grekët.

Enver Hoxha kalon deri në cilësime si “të paturpshëm” dhe ngre akuza se pas kësaj teze fshihej kleri i kishës ortodokse greke.

SHOKU RAMIZ ALIA: Sot apo dje, shoku Enver, ambasada greke i kishte dërguar Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme një letër nga Athina me anën e së cilës kërkonte disa të dhëna, njëfarë notifikimi për një person nga Himara, nga “krahina e Vorio-Epirit”.

SHOKU ENVER HOXHA: U!?

SHOKU RAMIZ ALIA: Shokët e Ministrisë ia kishin bërë mirë. Një t’ia kthyer notën mbrapsht pa i bërë asnjë përgjigje vetëm duke u vënë në dukje se një emërtim i tillë nuk ekziston në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Në rregull. Janë të paturpshëm fare këta grekët.

SHOKU RAMIZ ALIA: Duket ata duan të krijojnë precedentë, duke menduar se po na kaloi njëherë miu nën mjekër dhe pastaj bëhet rrugë.

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe pastaj “festojmë çlirimin e Korçës nëpër kisha”.

SHOKU RAMIZ ALIA: Del qartë, shoku Enver, se pjesa më reaksionare e përkrahësve të çështjes së Vorio-Epirit, është kleri i kishës. Zaten kleri grek gjithnjë i tillë ka qenë. Ai gjithnjë ka pasur në Greqi një pozitë sui generis. Atje edhe presidenti i republikës betimin përpara dhespotit e bën. Shteti grek nuk është laik dhe kisha në këtë vend ka pushtet shtetëror.

Ose të marrim një fakt tjetër, atë të artikullit që bëmë ne kundër vizitës së peshkopit Serafin në Serbi. Kjo do të thotë që ai ka pushtet në Greqi.

Ja sikur të na shanin ne Dom Ernest Çobën në kohën tonë, punë e madhe, as që do t’ia vinim veshin një ngjarje të tillë.

SHOKU ENVER HOXHA: More, ma kujtove Dom Ernest Çobën që edhe agjent u bë, po nuk mbaj mend vd.iq apo si përfundoi çështja e tij?

SHOKU RAMIZ ALIA: Kur u zhdukën institucionet fetare, ai u bë bahçevan në komunale, ku punoi deri sa doli në pension./ dita