Çfarë thotë Moisi Habilaj për Saimir Tahirin, zbardhet dëshmia


Vendimi me të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi arrest shtëpie për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, është një dokument me 33 faqe.

Për të kërkuar arrestimin e Tahirit, Prokuroria shqiptare ka përdorur një pjesë të mirë të përgjimeve të kryera nga Guardia di Finanza italiane për të arrestuar Moisi Habilajn, kushëri të ministrit dhe vëlla i Artan Habilajt, i kërkuar edhe ai aktualisht për trafik droge.

Në ato përgjime Moisi Habilaj u shpjegonte bashkëfajtorëve të tij se kishte blerë dy byzylykë me diamante për gruan e Saimirit dhe se kishte paguar një kostum, të cilin vetë ministri e paskësh zgjedhur në një dyqan të Romës. Një tregtar, me të vërtetë, ka konfirmuar se Habilaj bleu dy byzylykë (edhe pse me një vlerë më të ulët se ajo e deklaruar nga bosi), por pa e ditur se për kë ishin marrë ato. Ndërsa tregtari i rrobave, i pyetur nga Guardia di Finanza, ka mohuar të ketë takuar ndonjëherë ministrin.

Zbardhet dëshmia e Moisi Habilajt: S’e kam takuar kurrë kushëririn-ministër

Për herë të parë dalin në dritë edhe deklarimet, që Moisi Habilaj i ka bërë Prokurorisë së Catanias dhe kështu zbulohet se kushëriri i ministrit ka pranuar përgjegjësinë e tij për trafikun e drogës, por ka përjashtuar që ato dhurata apo pagesa në para’, për të cilat flet gjatë përgjimeve, të jenë bërë për Saimir Tahirin. Moisi Habilaj pretendon qe dhurata qe ka blere ishin për një nga furnizuesit e kanabisit në Shqipëri. Madje, Moisi Habilaj pohon se nuk e ka takuar kurrë kushëririn-ministër personalisht.

Por, ai që e njihte dhe takohej shpesh me Saimir Tahirin ishte Artan Habilaj, vëllai i trafikantit të arrestuar në Itali dhe të cilit ministri i kishte shitur makinën e tij “Audi A8”. Ndryshe nga sa ka thënë Tahiri, se ai nuk kishte pasur asnjëherë kontakt personal me Artan Habilajn, Prokuroria ka gjetur prova se të dy mund te kete pasur kontakt te paktën dy herë në Greqi në gusht të vitit 2014, ne qytetin bregdetar të Lefkadas në ishullin e Korfuzit, kur Tahiri së bashku me gruan, prindërit dhe një çift miqsh kanë kaluar dy javë pushime në një shtëpi dykatëshe të marrë me qira./Report