Financimi rus e KGB implikojnë Lulzim Bashën, SHBA sjell provat. Visho Ajazi përgjoi bisedën me Ristanin që u “zbërthye”, Prokuroria do kërkojë imunitetin


Lulzim Basha pritet të përfundojë në burg për shkak të zbardhjes së aferave lobuese me para ruse dhe përmes agjentëve të ish-KGB-së ruse në SHBA.

Provat dhe faktet janë mbledhur dhe kopsitur nga organet ligjzbatuese të SHBA, që sipas kërkesës së prokurorisë shqiptare kanë mbërritur tashmë në tavolinën e kryeprokurores së përkohëshme shqiptare Arta Marku.

Me sa duket nuk do të ketë mëshirë për askënd që ka shkelur ligjin shqiptar dhe atë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, duke mos bërë goditje selektive ndaj autorëve dhe sponsorizuesve të këtyre krimeve dhe duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se tashmë po mblidhen ditë pas dite të gjitha provat dhe faktet që zhysin përfundimisht Lulzim Bashën në paligjshmëri.

Pas një hetimi rast pas rasti të pagesave dhe lobimeve të tij në SHBA për të “zhvatur” një foto me Donald Trump dhe për ta paraqitur atë si mbështetje të administratës amerikane dhe të presidentit të SHBA për Shqipërinë, rezulton se Basha ka kryer krim.

Mësohet se bazuar në këto prova dhe fakte të sjellë dhe nga SHBA, por dhe të marrë nga KQZ dhe organet ligjzbatuese shqiptare Prokuroria e Krimeve të rënda e drejtuar nga Donika Prela pritet ti kërkojë Kuvendit të Shqipërisë lejen për arrestimin e kreut të PD, deputetit Basha.

Një kërkesë e tillë bëhet, pasi paaralel me prokurorinë shqiptare edhe Byroja Federale e Hetimit(FBI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur një hetim për lobistin e Partisë Demokratike, Nikolas David Muzin, i njohur si Nik Muzin.

Por hetimi amerikan ka në fokus dhe implikimin e Lulzim Bashës në këtë aferën një milionë dollarëshe, duke lobuar kundër Shqipërsië me para ruse.

Mësohet nga organi i akuzës se hetimet kanë nisur pas lajmeve dhe dokumenteve për burime financiare ruse që shkonin në një rrjet kompanish si pagesë për lobistët, që një vit më parë ndihmuan edhe Partinë Demokratike të Shqipërisë me shpresën për të ardhur në pushtet.

Por dhe të shtrirë ndikimin rus në Shqipëri, e papranueshme për shqiptarët por në radhë të parë dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, kryesisht SHBA dhe BE.

Mësohet se konform ligjeve dhe rregullave shqiptare, ndaj Lulzim Bashës ka pasur një përgjim të dyfishtë nga SHISH dhe organet e tjera ligjzbatuese, sidomos ndaj komunikimeve me Arben Ristanin por dhe me ndërmjetësin për lobimin me paratë ruse.

Fill pas këtij komunikimi Basha është nisur për në Edineburg ku ka firmosur marrëveshjen.

Jashtë skenarit të realizimit të përgjimit nuk ka qënë as SHISH i drejtuar nga Visho Ajazi Lika në atë kohë, i cili ka bërë një shërbim të dyfishtë.

Një shërbim të vazhdueshëm ndaj Sali Berishës që e ka pasur “detyrim” moral për ta ndihmuar dhe furnizuar si “qytetar dixhital” që të bëjë presion ndaj qeverisë me gjysmë të vërtetat.

Por kreu i SHISH ka bërë dhe një shërbim ndaj qeverisë, duke bërë atë që nuk e kishte bërë për shumë kohë, duke e informuar për gjithçka dhe në bazë të ligjit.

Visho Ajazi Lika ka luajtur me “dy porta”, duke furnizuar dhe Berishën me lajme dhe me lëvizjet e Bashës por duke i dhënë dhe ekstraktin e përgjimeve qeverisë dhe organeve ligjzbatuese të saj.

Thjeshtë dhe vetëm për të përfituar mbrojtjen dhe ngritjen në përgjegjësi pas dorëzimit të mandatit të kreut të SHISH. Gjë që Visho Ajazi Lika e arriti me emërimin e tij nga Rama në krye të ambasadës sonë në NATO.

Dhe mes këtyre përgjimeve Visho Ajazi Lika ka dërguar dhe bisedën e Bashës me Arben Ristanin, sekretar i përgjithshëm i PD. Gjithçka ka kaluar në tavolinën e Arta Markut.

Njëherësh mbeten mister dhe detajet që ka deklaruar Arben Ristani në prokurori, pasi menjëherë pas deklarimit të tij prokuroria ka kërkuar të gjitha përgjimet që janë bërë dhe nga SHISH i Visho Ajazi Likës për Lulzim Bashën.

Ndaj u tërbua Sali Berisha ndaj Visho Ajazi Likës dhe lojës së tij të dyfishtë, pasi ish kryeministri ishte mësuar që informacionet sekrete ndaj bashkëpuntorëve të tij dhe më gjërë të ishin eksluzivitet vetëm i tij.

Mësohet se prokuroria e Krimeve të Rënda po heton për falsifikim formularësh, për sa kohë dyshohet se PD ka dorëzuar në KQZ të dhëna të rreme për financimin.

Burime nga grupi i hetimit shprehen se i është kërkuar autoriteteve amerikane përmes një letërporosie për të plotësuar dosjen ku përmenden se si Nik Muzin u pagua për të vendosur kontakte në Uashington për PD. Dhe me sa duket përgjigjia ka ardhur.

Ndërkohë që dhe grupi i prokurorëve shqiptarë që janë nisur drejt Britanisë së Madhe për në Skoci, kanë sjellë informacionin e duhur për kreun e PD dhe marrëveshjet që ka nënshkruar atje.

Kur ka qënë në Londër Lulzim Basha, për disa takime zyrtare, ai ka marrë trenin Londër-Edinburg për 5 orë e 15 minuta dhe ka ndaluar në Edinburg, qytet skocez ku është takuar me lobistët e pagesave në dollarë për në drejtim të SHBA.

Prokurorët shqiptarë po hetojnë deklarimet e Bashës ku ai pohon se ka qenë vetëm në Londër, por jo në Skoci.

Ndërkohë ka dyshime se ka shkuar në Skoci fshehur dhe po kërkojnë hotelin në Edinburg ku ka fjetur.

Për hetimin e nisur kryesisht që prej muajit nëntor 2017, prokurorët shqiptarë posedojnë një raport të KQZ-së për financimin e PD, por së fundmi edhe një shkrim të revistës amerikane “Mother Johnes”, ku dalin në dritë edhe biznesmenë rusë.

Prokurorët tregojnë se do kërkojnë dokumente shtesë edhe nga tatimet dhe dega e Thesarit për të verifikuar pagesat e depozituara nga PD. Kjo e fundit, thotë se i ka paguar kompanisë “Biniatta Trade” 150 mijë dollarë për lobim.

Nga ana e saj, revista amerikane “Mother Jones” paraqiti skemën e financimit. Sipas kompanisë së Muzin, e cila plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë, rezulton se ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të PD në vitin 2017.

Pagesa e parë është e datës 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë kryer nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Ndërkohë, Partia Demokratike thotë se ka paguar vetëm 150 mijë dollarë për lobim.

Debati dhe hetimet në Uashington dhe Tiranë kanë nisur për 525 mijë dollarët dhe burimet e financimit, duke marrë shkas nga deklaratat që ka bërë kompania e lobistit Muzin.

Që nga zgjedhjet e fundit presidenciale, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një debat të nxehtë për ndërhyrjen ruse, ndërsa prej kohesh vijojnë hetimet për ndërhyrje të Moskës në fushatën e Trump, të cilat kanë përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë.

Ndaj edhe organet ligjzbatuese dhe autoritetet atje janë aq të ndjeshme sa herë bëhet fjalë për ndërhyrjen politike apo financiare të Rusisë.

Mësohet se bazuar në këto prova dhe fakte prokuroria shumë shpejt do bëjë kërkesën për ti hequr imunitetin dhe votuar kërkesën për arrestim.

Mister mbetet nëse Basha, do respektojë standardin e vendosur nga Saimir Tahiri për të dhënë së paku dorëheqje nga mandati i deputetit.

Pasi dorëheqje nga kryetar i PD askush nuk e pret nga Basha. /Pamfleti.com