Thyerja e madhe në PD: Gazment Bardhi, 33-vjeçari që pritet të vijë në krye të partisë kryesore në opozitë


33-vjeçari që pritet të votohet sot si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike ka sfida të mëdha përpara. Kryesorja përgatitja e strukturave për zgjedhjet lokale të muajit qershor.

Lulzim Basha i kapi dje në drekë të gjithë në befasi, teksa doli dhe shpalli listën e tij për ekipin e ri drejtues të PD. Një listë që do t’i paraqitet sot për votim Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Lideri i opozitës e theksoi vetë se kjo ishte një praktikë e re, ndryshe nga tradita në PD, ku kryetari del një ditë përpara dhe i propozon këshillit emrat për anëtar kryesie dhe për sekretariatin.

Lista përmban shumë surpriza. Por ajo çka ra më shumë në sy janë emrat për sekretariatin. Të shtunën në darkë, Partia Demokratike do të ketë një ekip drejtues tërësisht të ri, pasi sipas propozimit që ka bërë Basha, asnjëri nga sekretarët aktualë nuk vazhdon. Thyerja më e madhe është ajo për numrin 2 në PD, për Sekretarin e Përgjithshëm. Të propozuar janë Gazment Bardhi dhe Dorjan Teliti.

Burime pranë Partisë Demokratike tregojnë se i favorizuar në këtë garë është z. Bardhi, një personalitet që ka spikatur shumë kohët e fundit, ka njohur një trajektore në ngritje të përditshme nisur nga betejat ku është përfshirë dhe daljet publike, sidomos në ballafaqimet me përfaqësues të qeverisë në debatet televizive.

Gazment Bardhi ka qenë protagonist në shumë prej nismave kryesore politike dhe legjislative të PD në këto 5 vite, siç është ajo për dekr iminalizimin, apo më të fundit si ajo për vetingun në politikë dhe çlirimin e zgjedhjeve nga kr imi. Po ashtu, ai ishte eksperti kyç i Partisë Demokratike në Reformën në Drejtësi, në përpjekjet që u bënë për të ndalur atë që opozita e konsideronte si platformë e Ramës për kapjen e gjykatave dhe prokurorisë. Bardhi spikati si Ministër teknik i Drejtësisë në qeverisjen para zgjedhjeve të 2017.

Aktualisht këshilltar ligjor i Grupit Parlamentar, z. Bardhi është një th yerje në traditën e Partisë Demokratike, jo vetëm për moshën, por edhe për faktin se nuk është pjesë e grupeve apo flukseve të pushtetshme në parti. Kjo ka ndihmuar në ngjitjen e tij, pasi ka gëzuar konsensusin dhe pëlqimin e shumicës së demokratëve, kryesisht nisur nga puna e tij.

Ekipi i propozuar nga z. Basha me siguri do të prodhojë debat, polemika ndoshta dhe pakënaqësi. Por burime pranë PD tregojnë se në rastin e z. Bardhi ekziston një simpati e përgjithshme edhe e kritikëve për shkak të kontributit dhe kujdesit që ai ka treguar për të qëndruar larg palëve dhe interesave të grupimeve. 33-vjeçari që pritet të votohet sot si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike ka sfida të mëdha përpara, ku kryesorja është ajo e organizimit dhe e përgatitjes së strukturave për sfidën më të afërt elektorale që janë zgjedhjet lokale.

Propozimet e tjera

Propozimet e kreut të PD nisin me ish-Presidentin Bujar Nishani, që pritet të jetë kryetar i Këshillit Kombëtar. Rikonfirmohen dy nënkryetarët e partisë, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, ndërsa Arben Ristani, propozohet për kryetar i Komisionit të Apelimit. Jemin Gjana dhe Halim Kosova ruajnë postet, ndërsa Alfred Rrushaj, propozohet për drejtimin e bordit financiar. Eno Bozdo ruan postin e anëtarit të thjeshtë të kryesisë, por ikën nga drejtimi i sekretarit organizativ të partisë, për drejtimin e të cilit propozohet të garojnë Sahit Dollapi dhe Lulzim Omuri.

Çlirim Gjata garon përballë Marinela Ziut për postin e sekretarit për çështje ligjore. Ivi Kaso ka përballë ekspertin Dorjan Gjonmarkaj për postin e sekretarit për çështjet zgjedhore, ndërsa postin e sekretarit për burime njerëzore garojnë Ervin Minarolli dhe Minushe Lazaj.