Nga pika e kalimit Kufitar Morinë, dy ministrat e Brendshëm të Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan marrëveshjen dypalëshe për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.
Kjo marrëveshje lejon që shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një herë.
Në Morinë, përveç ministrave, prezentët ishte dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ndërsa ai shqiptar mungonte.
https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/1997118023741447/?t=0
Gjatë fjalës së tij, ministri Sandër Lleshaj njoftoi edhe arsyet e mos pranisë së Edi Ramës, kreut të qeverisë shqiptare.
“Së pari më lejoni t’iu përcjell përshëndetjet e kryeministrit Rama, i cili nuk preferoi të vinte, sepse tha: kemi 50 përqind sukses kësaj radhe, do të vi kur ta heqim plotësisht kontrollin e kufirit”.
Lleshaj e quajti marrëveshjen shumë të rëndësishme ndërsa paralajmëroi nënshkrimin e një marrëveshjeje të re së shpejti për eli minimin e kontrolleve në kufirin Shqipëri-Kosovë.
“Hapi tjetër, besoj shumë shpejt, ne do të jemi në gjendje që qeverive tu ofrojmë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje shumë të rëndësishme e cila do të çojë në eliminimin e plotë të këtyre kontrolleve në kufirin tonë pa cënuar aspak sigurinë. Ky është një hap drejt vendosjes së standardeve të mirëfillta europiane në kufirin tonë ashti siç ndeshemi me të gjithë kufijtë e Europës ku ne synojmë të anëtarësohemi”, tha Lleshaj.
https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/1953809581364100/?t=0
Ndërkohë, Kryeministri Haradinaj dha edhe një afat të mundshëm për heqjen e kufirit. Haradinaj u shpreh për gazetarët, se marrëveshja dypalëshe nis zbatimin nga nesër
“Që nesër nuk ka me pas dy kontrolle. Do të ketë nji. Ndërsa shpresoj shumë më 1 Mars ose 2 Prill, s’po them 1 Prill, ky kufij të mos jetë më, por kjo të jetë pika që na bashkon”, tha Haradinaj.
PANORAMA