Dr. Fatos Olldashi: PO, hernia diskale mund të shërohet përfundimisht!


Dr Fatos Olldashi: Si të kujdesemi për dhlmbjet e shkaktuara nga hernia diskale. Shmangia e ndërlikimeve mjekësore dhe rastet kur duhet vërtet op eracioni
Dhimbja e mesit është një fenomen shumë i shpeshtë tek njeriu.

Nga statistikat llogaritet që 80 për qind e njerëzve kanë një eksperiencë dhimbje je mesi në jetën e tyre.

Një pjesë e mirë e këtyre dhimbjeve, (jo në të gjitha rastet), këto dhimbje shkaktohen nga sëmundja e hernies diskale.

Dr.Fatos Olldashi tregon se si duhet të kujdesemi për këtë sëmundje, në mënyrë që të shmangim ndërlikimet shëndetësore që vijnë prej saj.

Çfarë është hernia diskale?
Hernia diskale është një hernim ose (e thënë në gjuhë më të thjeshtë) një dalje e diskut.

Disqet janë disa kërce që ndodhen midis vertebrave, rruazave të kurrizit, të cilat lejojnë lëvizshmërinë, përkulshmërinë e shtyllës kurrizore.

Të gjithë e dimë që shtylla kurrizore nuk është një trup i ngurtë.

Hernia diskale ka të bëjë me çarjen e kores së diskut dhe me daljen e përmbajtjes.

Në varësi të vendit ku del, mund të japë dhimbje që janë pasojë e shtypjes së nervave, paralizë dhe është ajo që në popull njihet me termin nervi shiatik.

Nervi shiatik ka të bëjë me ato raste kur kjo dalje ndodh në pjesën e belit.

Këtu dalin rrënjët e nervave që formojnë nervin shiatik.

Nervi shiatik është një pjesë e hernies në përgjithësi.

Hernia diskale mund të ndodhë nga qafa deri në pjesën sakrale ose në pjesën e bishtit (apo kërbishtes, siç njihet).

Çfarë e shkakton hernien diskale?

Shkaktarët e hernies diskale janë të ndryshëm.

Prandaj dhe hernien diskale e gjejmë në mosha, profesione dhe sekse të ndryshme.

Shkaktarët më të mëdhenj janë aktivitetet fizike.

Kryesisht aktivitetet e pakontrolluara fizike.

Pra, kemi njerëz që punojnë në punë të rënda fizike, janë hamej, megjithatë nuk u ndodh hernia diskale.

Nga ana tjetër, kemi njerëz që rrinë në zyra dhe vetëm nga një lëvizje e pakontrolluar e tavolinës apo e një mobiljeje pësojnë hernie diskale.

Pra, ka shumë rëndësi mënyra sesi kryhet ky aktivitet fizik.

Kemi edhe njerëz që paraqiten dhe nuk mbajnë mend ndonjë shkak fizik që ata kanë bërë ditët e fundit dhe megjithatë zbulohet se kanë hernie diskale.

Gjithsesi, baza mund të quhet një tr aumë fizike.

Cilat janë simptomat?
Simptomat janë në varësi të vendit ku ndodh hernia diskale.

Njerëzit zakonisht kur dëgjojnë fjalën “hernie”, nënkuptojnë vetëm dhimbjen e belit dhe të nervit shiatik.

Por hernia, siç e theksova më lart, mund të ndodhë edhe në qafë, edhe në pjesën e gjoksit (më pak).

Gjithsesi, më shumë ndodh në pjesën e fundit të belit ose në ato vende ku formohet nervi shiatik.

Në varësi të vendit ku kemi hernien, kemi edhe simptomat.

Nëse do të kemi hernie diskale në qafë, do të kemi dhimbje të qafës, dhimbje të njërit krah apo të dy krahëve.

Kur hernia është e madhe, mund të kemi edhe paralizë të duarve dhe të këmbëve.

Ajo që ndodh më shpesh, është dhimbja e belit dhe shoqërohet kryesisht me dhimbjen e njërës këmbë.

Këto janë simptomat më klasike që gjenden më shpesh.

Kemi simptoma nga më të rëndat deri tek më të lehtat.

Simptomat më të rënda janë kur hernia është e madhe dhe shtyp të gjitha nervat dhe e shkakton atë shtypjen në formë paralize.

Prishen të gjitha reflekset dhe me këtë rast kemi edhe një lloj paralize në pjesën nga vendi i daljes së hernies deri në pjesën e poshtme.

Ajo që është më e rrallë, quhet sindromi kauda.

Ajo që është më e shpeshtë, është kur ngacmohet nervi dhe jep dhimbje të belit.

Dhimbja e bën personin që të mbajë një pozicion të caktuar, pra, ecën shtrembër.

Dhimbja rëndohet nga lëvizjet, pozicionet e ndryshme, gjithsesi kur shtrihen në krevat, gjejnë një pozicion të caktuar, qoftë edhe të shtrembër, por zënë rehat.

Është një dhimbje që nis te pjesa e belit, përhapet në pjesën e pasme të vitheve, në pjesën e pasme të kofshës, në pjesën e pasme të pulpës dhe shkon në gishtat e këmbës.

Në varësi të rrënjës së nervit që është e shtypur dhe dëmtuar, mund të kemi përhapje të dhimbjes në gishtin e madh ose në gishtat e tjerë.

Përveç të qëndruarit keq gjatë ushtrimit të aktiviteteve të ndryshme fizike, ç’mund të llogaritet tjetër si faktor risku?
Faktor risku është mospërgatitja fizike e trupit të njeriut.

Shtylla kurrizore nuk përmban vetëm disqet dhe kockat, por përmban ligamentet, përmban muskujt dhe këto krijojnë stabilitetin e shtyllës kurrizore.

Njerëzit që nuk bëjnë përgatitje të mirë fizike, kanë dobësim të muskujve, dobësim të ligamenteve dhe qoftë edhe një pozicion i parregullt mund të bëjë që të shkaktohet hernia diskale.

Mbipesha është një tjetër faktor.

Kjo sepse mbipesha nënkupton që individi gjithë kohës mbart mbi shpinën e tij një peshë rreth mbi 20 kg më tepër.

Pra, gjithë kohës shtylla kurrizore është e ngarkuar.

Cilat janë komplikacionet?
Komplikacionet i kemi nga më të rëndat, që nënkupton paralizën që në disa raste është edhe e pakorrigjueshme, deri tek të lehtat, që nënkuptojnë dhimbjet që kalojnë në një periudhë 10-ditore apo 2-javore.

Kur është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale?
Dhimbja e mesit është një fenomen shumë i shpeshtë tek njeriu.

Nga statistikat llogaritet që 80% e njerëzve kanë një eksperiencë dhimbje mesi në jetën e tyre.

Jo të gjithë kanë hernie diskale, por dhimbja e mesit dhe përhapja në trajektoren e nervit shiatik është shumë e shpeshtë dhe natyrisht jo të gjithë bëhen operacion.

Kryesisht, kriteret për operacion janë të ndryshme dhe kanë evoluar në kohë.

Kanë evoluar në daljen e ekzaminimeve të rëndësishme, siç janë skaneri dhe rezonanca.

Por ato që janë kritere absolute për operacion, janë ato raste që shkaktojnë paralizë.

Ato duhen bërë sa më shpejt, sepse nëse ndodh paraliza, është shumë e vështirë për t’u rikthyer.

Përveç imazherisë që kryhet në momentin që pacienti diagnostikohet me hernie diskale, cilat janë testet e tjera që duhen kryer?
Theksoj që kjo ndodh në 80% të popullsisë.

Por jo gjithmonë mund të bëjmë rezonancë magnetike.

Rezonanca magnetike deri tani ka rezultuar që është e padëmshme për njeriun, sidoqoftë për arsye teknike jo të gjithë njerëzit që shfaqin shqetësime të tilla, si dhimbjet e belit, mund të bëjnë rezonancë.

Ajo që duhet të bëjnë të gjithë njerëzit, është vizita me mjekun, kontakti me mjekun, qoftë me mjekun e familjes, qoftë me mjekun neurolog, qoftë me mjekun neurokirurg.

Mjeku e përcakton sesa është rëndësia e kësaj sëmundjeje.

A ka nga këto dëmtime që përmendëm?

Nëse nuk i ka dhe është një dhimbje që ka filluar dje apo para dytësh, nuk ka pse të shkojë deri në bërjen e rezonancës.

I jepen mjekimet dhe i lihet takim për një konsultë tjetër.

Në përgjithësi kalon me dhënien e parë të mjekimeve.

Nëse nuk kalon, kërkohet rezonanca magnetike.

Kur sëmundja është në fazat e para të zhvillimit të saj apo edhe në rastet që është përkeqësuar, çfarë mund të bëjë pacienti në kushte shtëpie për të lehtësuar dhimbjet?
Ajo që ne u këshillojmë individëve në kushtet e shtëpisë dhe në kushtet e konsultës me mjekun, është që nëse ndodh dhimbja e mesit, duhet të qëndrojnë në krevat.

Shkencërisht duhet që të përdorin procedura të ftohta.

Pra, duhet të përdorin ndonjë kallëp akulli, si ato që mbahen në frigorifer.

Normalisht të jetë e mbështjellë me peshqirin, jo në kontakt me lëkurën.

Disa njerëz gjejnë rehat duke përdorur të ngrohta.

Kjo nuk ka bazë shkencore, megjithatë ata ndihen mirë.

Përsa u përket medikamenteve, mund të përdorin antiflamatorë të thjeshtë duke nisur që nga paracetamoli dhe deri tek voltareni.

Mund t’i përdorin në kushtet e shtëpisë normalisht, nëse nuk vuajnë nga sëmundje të tilla, siç është ulçera e stomakut apo probleme me tensionin.

Gjithashtu, pacientët duhet që të rrinë në atë pozicion që i lehtëson dhimbjet.

Pra, nëse ata e shikojnë që po të përkulen në anën e majtë, i lehtëson dhimbjet, le të rrinë ashtu.

Duhet të bëjnë aktivitet fizik aq sa i lejon dhimbja, dhe jo të hanë inat me veten e tyre dhe të mendojnë se po të ushtrojnë forcë në trupin e tyre, mund ta zhbllokojnë atë.

Në kushtet e shtëpisë do të rekomandoja një regjim të detyruar nga dhimbja.

Nuk them regjim absolut shtrati.

Njeriu mund të bëjë aktivitetin e vet fizik, por duke respektuar dhimbjet.

Mund të shkojë në tualet për të kryer nevojat personale apo mund të bëjë edhe ndonjë punë nëpër shtëpi.

Po mënyra e të fjeturit?
E përgjithshmja sot është që dyshekët janë të rehatshëm.

Nuk ka më dyshekë suste.

Nuk ka ndonjë rekomandim të veçantë.

Ka pacientë që vijnë dhe thonë që kanë fjetur në dysheme.

Nuk është e nevojshme.

Në krevat mjafton një jastëk për t’i mbajtur gjunjët e përkulur dhe të zënë një pozicion që e shikojnë të përshtatshëm.

A mund të shërohet përfundimisht hernia diskale?
Po, hernia diskale mund të shërohet përfundimisht.

Nuk është sëmundje e pashërueshme.

Problemi është se shtylla kurrizore e njeriut është ndërtuar në mënyrë të tillë që njeriu do të ketë probleme me kalimin e moshës.