Gazetari dhe pedagogu i njohur Mentor Kikia ka komentuar protestën e studentëve, të cilët kanë protestuar ditën e sotme të ndarë në dy grupe, përpara Kryeministrisë dhe tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi.
Kikia ka shkruar se nëse studentët protestojnë për 8 kërkesat atëherë tua kursejnë vuajtjet qytetarëve të Tiranës me paralizimin e rrugëve, sepse sipas tij nuk mund të bllokohet Zogu i Zi dhe të brohoritet se duhet bibliotekë europiane.
‘Të dashur studentë, është koha të thoni përse protestoni
Nëse vazhdoni të protestoni vetëm për 8 kërkesat, atëherë na i kurseni vuajtjet e paralizimit të qytetit. Tafira e provimit të bartur u hoq, ajo e studimeve u përgjysmua në disa universitete, për Qytetin Studenti u miratua fondi i rikonstruksionit.
Disa kërkesa(si ajo për 5% të GDP-së për arsimin) nuk plotësohen dot tani, edhe sikur qeveria gjermane të marrë në dorë këtë vend’, ka shkruar ndër të tjera Mentor Kikia.
Nëse kjo protestë ka qëllime të tjera, ashtu siç në fakt shpresojnë qindra mijëra njerëz, pra të shkundë status-quonë dhe kastën politike, të ndryshojë ligje që garantojnë jetëgjatësinë e kësaj kaste dhe deformojnë demokracinë, atëherë hidhini në shesh, se ndoshta do të ketë më shumë njerëz aty me ju, për të bllokuar jo vetëm rrugët, por edhe lumenjtë po të jetë nevoja.
Por, nëse jeni vetëm për tarifat, shkoni në shtëpi e mos u lodhni më, as ju e as ata që duan të shkojnë në shtëpi pas pune.
Nuk mund të bllokosh Zogun e Zi e të thuash “Dua bibliotekë europiane’, përfundon ai.