Imazhet nga sateliti/ Si shkatërroi mandati i Bashës hapësirat publike në Qytetin Studenti


Për katër vite, gjatë mandatit të Lulzim Bashës si kryetar të Bashkisë së Tiranës, Qyteti Studenti i sakatua në mënyrë të pandërprërë, falë lejeve të ndërtimit të akorduara brenda perimetrit të konvikteve apo direkt ngjitur me to.

Goditja më e madhe për Qytetin Studentin u regjistrua në vitin 2013, kur Plani i Ri i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë së Tiranës shndërroi në hapësirë ndërtimin zonën midis “Rrugës së Elbasanit, Unazës së Re dhe rrugëve “Pjetër Budi” e “Arben Broci”, që janë dy rrugët paralele që kufizojnë QS nga të dyja anët.

Si rrjedhojë, siç tregojnë edhe pamjet e satelitit, gjatë këtij 4-vjeçari, brenda perimetrit të konvikteve, në skajin verilindor të tij, u ndërtua një kompleks banimi.

Fotot e bashkëngjitura tregojnë se si ky kompleks është vetëm 10 metra larg godinave të konvikteve.

Në të gjithë zonën buzë rrugës “Gramoz Pashko”, rruga që bie vertikal me Fakultetin Ekonomik, vilat dy-katëshe janë zëvendësuar në masën më të madhe nga godina të larta banimi.

Ndërkohë, kësaj babëzie nuk i ka shpëtuar edhe fusha e Qytetit Studentit, ku buzë së cilës janë dhënë leje për ndërtimin e një numri pallatesh.

Këto ndërtime do të bëjnë në të ardhmen shumë më të kushtueshme për Bashkinë e Tiranës ngritjen e kampusit universitar modern në Qytetin Studenti.

Kjo sepse ashtu siç po ndodh tek Unaza e Madhe, një numër ndërtimesh të ndërtuara gjatë kësaj periudhe do të jetë e detyruar që të prishen dhe kjo do të ketë një kosto të madhe të shtuar për taksapaguesit./LEXO