Uzuni i papërmbajtshëm, shënon një tjetër gol në Kroaci


Myrto Uzuni nuk di të ndalet më në Kroaci. Talenti i kombëtares sonë ka qenë protagonist sot edhe në ndeshjen e 1/8-ve të Kupës së Kroacisë. Futbollisti i kombëtares shqiptare, ishte titullar në sfidën që Lokomotiva e Zagrebit luajti kundër Zadar, skuadër që militon në Kategorinë e Dytë të futbollit në Kroaci. Ndeshja e vlefshme për 1/8-t e Kupës përfundoi me fitoren 1-3 për Lokomotivën, duke i dhënë një fitore mjaftë të rëndësishme në këtë takim.

Vendasit ishin ata që kaluan të parët në avantazh, pasi Blazevic shënoi në minutën e dytët të takimit. Por për të vendosur barazpeshën do të mendonte Myrto Uzuni.

23-vjeçari shqiptar shënoi golin e barazimit në minutën e 23 të takimit, duke barazuar shifrat, por njëkohësisht duke rritur optimizmin në skuadrën e tij. Kështu pas Uzunit, Krastnovic do të shënonte golin e avantazhit për Lokomotivën në minutën e 45+1`, ndërsa në pjesën e dytë do të trefishonte shifrat Datkoviç.

Me këtë gol Uzuni tregon edhe njëherë peshën që ka në skuadrën kroate, duke u bërë jo vetëm titullar i padiskutueshëm, por tashmë golat e tij janë të rëndësishëm për ecurinë e Lokomotivës. Uzuni është futbollisti më në formë i kombëtares sonë , teksa pritet që të konfirmohet ftesa për të nga trajneri Panucci.