/Trajneri i Azerbajxhanit ka fjalë të mëdha për Kombëtaren e Kosovës

Trajneri i Azerbajxhanit ka fjalë të mëdha për Kombëtaren e Kosovës

Trajneri i Azerbajxhanit, Gurban Gurbanov, e ka lartësuar ekipin kombëtar të Kosovës duke thënë se ka vetëm fjalë të mira për të, pasi Kosova e mundi Azerbajxhanin 4-0 duke e siguruar vendin e parë në Grupin 3 të Ligës D, në Ligën e Kombeve, të martën në Prishtinë.

Triumfi i mbrëmshëm i siguron Kosovës një vend në gjysmëfinale të Ligës D në një rrugë tjetër, më të lehtë, për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020, si dhe promovimin në një nivel më të lartë – në Ligën C – të garës inauguruese të UEFA-s, Ligën e Kombeve.

Het-triku i Arbër Zenelit dhe një gol i Amir Rrahmanit e fundosen Azerbajxhanin në një ballafaqim që shihej si finale e madhe në letër, por që doli të ishte fitore e lehtë dhe bindëse e “Dardanëve”.

E Gurbanov ka thënë se nuk mund t’i kritikojë dot lojtarët e vet, sepse luajtën kundër një kundërshtari shumë të fortë, siç është Kosova.

“Urime për ekipin kombëtar të Kosovës për një fitore të merituar. E dija fuqinë e kundërshtarit, por erdhëm këtu me dëshirën për të fituar. Duhej të fitonim. Goli i pranuar në minutat e para ishte një goditje për lojtarët tanë. Pothuajse çdo goditje e tyre përfundoi me një gol”.

“Unë nuk do t’i kritikoj lojtarët. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë së bashku. Gjithkush e donte fitoren. Por sot ne kemi mësuar fuqinë e vërtetë të një kundërshtari. Mund të them vetëm fjalë të mira për Kosovën. Unë nuk dua ta shoqëroj humbjen me asgjë. Kosova ishte më e fortë se ne”.

“Kam thënë shumë herë se ne kemi nevojë për të përmirësuar kampionatin tonë, për të rritur potencialin e lojtarëve. Tani është e vështirë të thuhet se çfarë na pret. Nuk do të mund që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje për një kohë”, tha Gurbanov.