Spartak Ngjela tregon zenkart: Çfarë ka ndodhur mes Rames dhe Xhafaj dhe cfare e pret tani Ramen


Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka zbërthyer detaje nga dorëheqja e bujshme e Fatmir Xhafajt. Përmes një statusi në Facebook, Ngjela hedh dyshime të forta që shkaktari kryesor i këtij largimi është vetë Edi Rama. Sipas tij, Rama e ka fyer dhe ofenduar rëndë Xhafajn, ndërsa sqaron dhe marrëdhëniet mes tyre. Avokati Spartak Ngjela kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryeminstrit.

Postimi i plotë i Spartak Ngjelës

Çfarë ka ndodhur në raportin politik qeveritar Rama-Xhafaj?

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dje ka dhënë dorëheqjen. Sipas të dhënave që vijnë nga brenda qeverisë por sidomos nga teksti i ministrit për arsyetimin e dorëheqjes së tij, na rezulton që kryeministri, botërisht, e ka fyer apo e ka ofenduar rëndë ministrin.
Në fakt kjo mund të ndodhë vetëm në Shqipëri dhe vetëm nga niveli i ulët i mendimit politik, dhe nga kryeministra të dalë në krye nga fenomenet banditeske të krijuara mes korrupsionit.

Çfarë do të ndodhë tani?

Nëse kryeministri cerebral Rama ka përdorur gjuhë rrugësh me Xhafajn, dy janë rrugët: ose Edi Rama duhet të japë dorëheqjen sa më shpejt që të jetë e mundur; ose ministri Xhafaj duhet t’i drejtohet gjykatës apo dhe prokurorisë me padi ose civile, ose penale kundër kryeministrit të tij.

Në fakt padia në vetvete do të ishte një akt i madh historik kundër frymës së rrugës që ka 100 vjet që drejton shtetin dhe qeveritë shqiptare.

Padia do t’i sillte historisë së Shqipërisë rastin e madh të fillimit të moralitetit dhe të sjelljes së kulturuar të kryeministrave shqiptarë, deri tani, shumica të shthurur mendërisht.
Por do të krijonte edhe fillimin e procesit të pjekjes së vetë shoqërisë shqiptare për ta ndërprerë përfundimisht zakonin primitiv të saj, të sjelljes në pushtet të njerëzve cerebrale që vinë nga hiçi.

Po rruga e Parlamentit është një rrugë për ministrin Xhafaj?

Këtu duhet pyetur se nga anon në këtë rast Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.
Mendoj se për Ruçin është sak rasti që të skartojë apo të rrëzojë nga pushteti një kryeministër pa asnjë lloj vlerë si Edi Rama; sepse qënia e Ramës sot në krye të Partisë Socialiste është gabim direkt i Gramoz Ruçit.

Nëse Gramoz Ruçi anon nga moraliteti i kësaj çështjeje, maxhoranca nuk mund të jetë përballë aksidentit të çarjes, dhe rrëzimi i Ramës në Parlament do të ishte suksesi më i madh për shqiptarët dhe për vetë historinë politike të Shqipërisë.

Megjithatë duhet pritur, kurse rruga më e mundshme nga të gjitha këto mundësi është dorëheqja e Ramës.