Si Të Mbillni Mandarina Në Shtëpinë Tuaj


Janë frutat më të dashura të dimrit. Të ëmbla, të lehta dhe delikate, me aromë fantastike, mandarinat nuk mungojnë asnjëherë në tryezat e shqiptarëve.

E ndërsa të gjithë rendim drejt tregjeve për të blerë frutat e dëshiruara, një mënyrë e zgjuar për të patur këtë frut gjatë gjithë stinës të freskët në tryezë është mbjellja e tyre në vazo, në shtëpi.

AgroWeb.org u sugjeron të blini në tregun e fidanëve dhe luleve apo në farmaci bujqësore, një fidan mandarine paksa të rritur (2-3 vjeçare) që të përftoni rezultatet më të mira.

Merrni një vazo plastike ose balte (me vrima në pjesën fundore) të thellë deri në 35 centimetra dhe me një diametër prej 45-50 centimetra.

Përdorni guralecë që të siguroni qarkullimin e plotë të ajrit, mbusheni me dhe të plehëruar dhe vendoseni pemën në vazo.

Lëreni vazon në ndriçimin e diellit për 8-10 orë në ditë dhe mos e teproni me vaditjen.

Sipas ekspertëve të AgroWeb.org mandarina do të paktën 6-9 muaj të piqet dhe kur të marrë ngjyrën karakteristike, atëherë jeni gati t’i mblidhni.
Nëse dëshironi, mund të zgjidhni edhe farat e mandarinave për një rrugëtim më të plotë të kësaj agrumeje të dashur

Blini mandarina organike, sepse mandariant jo-organike përmbajnë shpesh fara që nuk mbijnë. Dheu që do të përdorni duhet të jetë pjellor e të përmbajë fertilizues natyralë dhe minerale.
Ndiqni hapat e mëposhtëm nga AgroWeb.org:

Dheu në vazo duhet të jetë i lagësht.

Mbusheni vazon e vogël me dhè deri në 2.5 centimetra nga sipërfaqja

Prijeni mandarinën në gjysmë dhe merrni një farë

Farën duhet ta fusni të paktën 1 centimetër nën tokë, në mes të vazos

Përdorni një shishe spërkatëse për ta ujitur pjesën e sipërfaqes së vazos

Mbulojeni vazon me një qese plastike. Lidheni me llastik dhe shpojeni qesen me laps duke krijuar vrima të vogla.

Vendoseni vazon në një vend me diell dhe të ngrohtë

Herë pas here spërkateni me ujë. Dheu nuk duhet të jetë i thatë.

Pas dy javësh, kur filizat të kenë çelur, hiqeni mbulesën plastike. Nëse bima ka nevojë për më shumë diell, përdorni një llampë speciale për të zëvëndësuar ndriçimin natyral. Filizët kanë nevojë për 8 orë diell çdo ditë.

Kujdesuni që të ushqeni filizët me fertilizues organik.
Mbrojini nga insektet dhe hiqni gjethet e thara.

Kur filizët të jenë rritur mjaftueshëm, duhen transferuar në një vazo më të madhe.

Kujdesuni që filizët të jenë të ngopur me ujë.

Këto janë dy mënyrat më të thjeshta për kultivimin e mandarinave në shtëpi sugjeruar nga AgroWeb.org, falë të cilave agrumja e preferuar nuk do t’ju mungojë kurrë./AgroWeb.org