/Si po mbrohet Skënderbeu kundër UEFA-s, detaje interesante!

Si po mbrohet Skënderbeu kundër UEFA-s, detaje interesante!

Për të rrëzuar UEFAn, pas vendimeve që kanë lidhje me trukimet e ndeshjeve, duket si një mision i pamundur. Precedentët janë të tillë, pasi sa herë komisionet juridike të qeverisë europiane të futbollit kanë dënuar klube të ndryshme në Europë për manipulime ndeshjesh, thuajse gjithnjë ia kanë dalë të kenë edhe mbështetjen e KAS-it të Lozanës me lënie në fuqi të vendimeve.

Dënimi i Skënderbeut me 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane pas çdo kualifikimi dhe një gjobë të majme prej 1 milion eurosh nuk erdhi si një rrufe në qiell të hapur për drejtuesit e klubit korçar. Madje, që pas pretencës së inspektorëve të Disiplinës dhe Etikës në UEFA në muajin shkurt, menjëherë Takaj & CO menduan për mbrojtjen që do të bënin në KAS. Ata hoqën dorë nga studioja ligjore italiane që kishin kontraktuar në betejën e humbur të dy viteve më parë në KAS dhe përzgjodhën një zvicerane (më e njohura në shtetin helvet).

SHPENZIMET DHE GARANCIA

Por, çfarë garancish kanë marrë tani drejtuesit e Skënderbeut për të rrëzuar vendimin e UEFA-s ose minimalisht për të pasur një ulje dënimi deri në tri vite? Cila është kostoja e këtij procesi për klubin dhe pse studioja ligjore zvicerane “De PFYFER”, e drejtuar nga avokati Zhan Sedrik Mishel, ka dhënë siguri për fitimin e kësaj beteje ligjore? “Panorama Sport”, nga burime të sigurta pranë klubit korçar, zbardh prapaskenat e klubit me studion zvicerane. “Dosjen e studiuam. Ne jemi të bindur për një mbrojtje perfekte që siguron një ulje drastike të dënimit. Fatura shkon 300 mijë euro. Nëse jeni në gjendje t’u përgjigjeni kërkesave tona, atëherë mund të nisim që tani nga puna”.

Është kjo përgjigjja që mësohet se i ka dhënë klubit korçar që në muajin shkurt studioja ligjore zvicerane. Drejtuesit e Skënderbeut nuk janë menduar dy herë dhe kanë kontraktuar direkt “De PFYFER”. Në kushtet kur gjoba shkon 1 milion dhe dënimi është ekstrem, klubi ka marrë përsipër që të shpenzojë 300 mijë euro vetëm për studion ligjore, në mënyrë që të bëjë një mbrojtje, nga e cila mund të jetë shpresa e madhe. Gjatë kësaj kohe, juristët e klubit, në bashkëpunim me studion zvicerane, janë marrë me përpilimin e dosjes, duke mbledhur fakte dhe prova që do të shërbenin për të bindur Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Masa e paprecedentë (10 vite, si askush më parë) dhe certifikimi i sistemit BFDS kanë bërë që përqendrimi i studios të nisë nga kjo e fundit. Në klubin korçar janë të bindur se argumentet e inspektorëve të Disiplinës nuk janë të bazuara mbi fakte konkrete, qoftë sa u përket përgjimeve të lojtarëve apo zyrtarëve, por edhe transfertave bankare apo të penduarve që mund të ketë në këtë proces.

“De PFYFER” po grumbullon materiale që do të bindin KAS-in se lëvizjet e basteve nuk implikojnë zyrtarët dhe klubin e Skënderbeut në tërësi, pavarësisht se indirekt korçarët janë të akuzuarit nga dy inspektorët. Në dosjen e Skënderbeut janë futur edhe deklarata të kundërshtarëve, madje një prej tyre është ajo e ish-trajnerit të Partizanit, Marcio Sampaio, i cili aktualisht është pjesë e stafit teknik të Sportingut të Lisbonës.

Portugezi foli pak ditë më parë në lidhje me ndeshjen Sporting-Skënderbeu 5-1, e cila është një prej katër ndeshjeve që UEFA e ka cilësuar të trukuar. Në këtë periudhë, korçarët janë marrë jo pak edhe me ata, të cilët mund të quhen “spiunë” në dëm të Skënderbeut në këto 6 vite.

Madje, në klubin korçar tregojnë se është përgatitur një fashikull që mund të shkaktojë “tërmet” në opinionin sportiv shqiptar. Gjithçka mbetet për t’u parë, ndërsa shpresa e vetme mbetet KAS-i i Lozanës që, si për ironi të fatit, ishte ai që certifikoi në një- farë mënyre sistemin BFDS, duke lënë në fuqi vendimin për Skënderbeun në vitin 2016.