/SHISH hap thirrjen për të rekrutuar agjentë të rinj. Këto janë kriteret që duhet të plotësoni

SHISH hap thirrjen për të rekrutuar agjentë të rinj. Këto janë kriteret që duhet të plotësoni

Vetëm dy ditë pasi është dekretuar nga Presidenti i Republikës në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, kreu i ri, Helidon Bendo, ka hapur edhe konkursin për nisjen e rekrutimeve të agjentëve të rinj në agjencinë e inteligjencës.

Shërbimi Informativ Shtetëror ka hapur një proces rekrutimi në rang kombëtar. Referuar njoftimit, Shërbimi kërkon të punësojë shtetas për të qenë në dispozicion. Nevojat janë për nën/Inspektorë (roje) në njësitë e SHISH në Tiranë dhe në rrethet Durrës, Elbasan, Fier, Lushnje, Berat, Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Lezhë, Shkodër, Dibër e Kukës.

Kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptar, me arsim të mesëm ose të lartë. Arsimi ushtarak i kandidatëve është i preferuar. Kandidatët duhet të kenë aftësi fizike të mira dhe të mos jenë nën 170 centimetra të gjatë.

Po ashtu, kriteret parashikojnë eksperiencën e punës në institucionet e sigurisë mbi 5 vite ndërsa mosha e preferuar është deri në 50 vjeç. Kandidatët duhet të mos jenë të dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë dhe të mos jenë të implikuar me organet e drejtësisë.

Të interesuarit duhet të paraqiten pranë drejtorive të SHISH në rrethe, si dhe pranë Shërbimit Informativ në Tiranë, deri në datrën 10 dhjetor 2018, ora 12:00.