Rama sfidon Metën, komandon Sandër Lleshin Ministër të Brendshëm


TIRANË-Shumica gjen zgjidhje pas refuzimit të dekretit nga Presidenti Ilir Meta për Sandër Lleshin. Burime për Report Tv pohojnë se në mungesë të dekretit të Metës për ta emëruar ministër, qeveria fillimisht do të emërojë me vendim të Këshillit të Ministrave Sandër Lleshin në pozicionin e zv/ ministrit të parë për ta komanduar më pas në postin e ministrit të Brendshëm.

Ndërkohë që nesër, gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi raporton se do të mblidhet Kuvendi për të votuar dekretin e shkarkimit nga detyra të Fatmir Xhafajt. Ai dha dorëheqjen të shtunën e javës së kaluar, ndërsa nesër do të votohet në Kuvend lirimi nga detyra.

Lëvizja e kryeministrit Rama për të komanduar Lleshin erdhi pas vendimit të Presidentit Meta pasditen e së shtunës për të mos e dekretuar. Në një reagim të shkurtër, presidenca sqaroi të shtunën se Meta nuk ishte i bindur për kandidaturën e Lleshit në krye të ministrisë së Brendshme.

Kjo bërë që dje, me kërkesë kreut të qeverisë, të zhvillohej një takim në Presidencë mes kreut të shtetit Ilir Meta dhe kryeministrit Rama. Pas takimit, Kryeministria tha se ‘Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës’.

Por sot, Rama ka vendosur që të ‘nxjerrë jashtë loje’ Presidentin duke e emëruar Sandër Lleshin në postin e zv/ ministrit të parë dhe duke e komanduar Ministër të Brendshëm.