Rama paralajmëron: S’ka më tendera për uniformat, efektivët me shërbim të personalizuar


Policisë së shtetit i është shtuar 134 mjete të reja. Flota është siguruar me metodën leasing operacional, në shqip marrja me qera.

Në ceremoninë e dorëszimit të kësaj flote Kryeministri e quajti të vlefshme këtë metodë që do i japë fund historive të ngecjeve të makinave në mes të rrugës dhe policët bëhen qesharakë

Edi Rama: “Është flota e parë e siguruar me një kontratë ndryshe. Me një kontratë 4 vjeçare në bazë të së cilës të gjitha mjetet do të zëvendësohen me të reja pas 4 vitesh duke shmangur historitë e pafundme të së shkuarës, tenderat e pafundëm dhe përfundimet qesharake që çuan në një polici shteti që kishte lloj lloj makinash, moshash e problemesh. Një lloj karnavali me trupin që reflekton dinjitetin dhe seriozitetin e shteti.

Nuk është një shpikje por metodë e garantimit të logjistikës e përdorur gjerësisht në vendet e zhvilluara që garanton shumë më tepër automjete sesa ato tenderat e degradimit institucional dhe mbi të gjitha garanton gjëndje optimale teknike në vijimsi, pasi është shërbimi që përgjigjet për çdo problem teknik, defekt, siguracionin dhe taksat e automjeteve dhe zëvendësimin e tyre në kohë reale nëse ato kanë një problem.

Është e rëndësishme të nënvizohet se me këtë flotë të re jo thjesht fuqizojmë dhe shtrijmë në 8 qarqe plotësimin e plotë me të gjitha nevojat logjistike të policisë së shtetit por garantojmë që të mos ketë kurrë histori që e kthyen policinë në objekt komedish e barcaletash, për shkak të ngecjes në rrugë dhe jshtë funksionit të mjeteve.

Uniformat me leasing?

Kryeministri paralajëroi se një metodë e tillë parashikohet të vihet në funksion edhe për uniformat e policisë.

Edi Rama: “Të njëjtën gjë do bëjmë dhe me uniformat e diskutuam me ministrin e Brendshëm për tenderat e uniformave që rihapen, dështojnë, rihapen, dështojnë, kthehen dhe nuk garantojnë vijimsinë. Nuk kemi pse të shpikim rrotën por të imitojmë ata që bëjnë më mirë këtë, vendet e BE.

Ku nuk ka tendera uniformash por një shërbim të personalizuar për çdo efektiv. Dhe ku 1-2 -3 kompani të licencuara do të përgjigjen për çdo nevojë që ka efektivi për uniformën . Nuk paguan paratë për tendera por çdo efektiv ka kartën e fondit personal për uniformën dhe të gjithë pajimet dhe adresat e të gjithë pikave të shërbimit ku shkon dhe merr atë që i duhet. Secili kujdeset për uniformën e vet dhe policia është vazhdimisht me uniforma top.”

Mjetet me leasing operacional të Policisë së Shtetit

Marrja me qera, sipas analizave dhe studimeve të bëra, rezulton modeli më efektiv i përdorimit të flotave të makinave për qëllime pune në institucione dhe korporata. Ky model po përhapet shumë vitet e fundit në botën e zhvilluar dhe më gjerë.

Gjatë vitit 2017 janë marrë me qera për një afat 4-vjeçar, 53 mjete të reja, ndërsa gjatë vitit 2018 kjo shifër u rrit në 134 autovetura të tjera.

Përhapja e këtij modeli lidhet me avantazhet financiare dhe operative në krahasim me modelet e tjera të blerjes me para në dorë ose të blerjes me anë të kredive nga institucionet financiare.

Kështu, Policia synon t’i sigurojë trupës policore mjete gjithmonë e më të reja dhe në gjendje optimale pune.

Ndërkohë detyrimet për mirëmbajtjen teknike, defektet, riparimet dhe shumë aspekte të tjera burokratike e teknike, mbeten barrë e kompanisë që ofron shërbimin.

E gjithë flota e marrë me qera është njëherësh e pajisur me sisteme të avancuara GPS, të cilat bëjnë të mundur njohjen në kohë reale të situtatës dhe vendondhjes së çdo mjeti.

Marrja me qera siguron gjithmonë mjete të reja për Policinë e Shtetit.

Policia e Shtetit paguan vetëm kestin mujor, dhe kjo pagesë shtrihet të paktën në një periudhë 4-vjeçare që është kufiri minimal i kontratës.

Njëherësh, sipas programit dhe marrëveshjes, nëse një mjet prishet, kompania ka detyrimin e zëvendësimit të mjetit menjëherë me një tip tjetër, të ngjashëm ose të njëjtë deri sa defekti në automjet të jetë riparuar dhe mjeti të jetë gati për përdorim.

Kjo metode ka edhe një avantazh tjetër që mund të emërtohet si avantazh i imazhit. Makinat e përdorura do të jenë normalisht të reja (0 deri në 4 vjet).