Pse nuset shqiptare janë dyfish më të rrezikshme se qentë e rrugës


Vetëm në vitin e fundit 2 nuse shqiptare kanë vrarë në mënyrë gjakftohtë dhe të paramenduar vjehrrat e tyre dhe një tjetër tentoi ta helmonte por dështoi. Ndërkohë po këtë vit është shënuar vetëm një vdekje si pasojë e kafshimit nga qeni në Shqipëri. Statistikisht i bie që nuset që keni në shtëpi, në Shqipëri shkaktojnë dy herë më shumë viktima se qentë, pra janë 200% më agresive dhe të rrezikshme.

Megjithatë shoqëria kërkon për to dënim individual sipas fajit të tyre dhe jo shfarosjen e të gjitha grave të martuara.

Muajt e fundit një debat publik ka nisur mes bashkive dhe qytetarëve që përkrahin të drejtat e kafshëve, nisur nga fakti se qentë e rrugës po shfarosen, herë të helmuar masivisht, herë nga plumbi dhe herë të tjera përmes injeksioneve vdekjeprurëse. Përveçse i paligjshëm, ky aksion është jo human dhe jo etik dhe bie ndesh me parimet e vendeve perëndimore krah të cilave synojmë të renditemi, ku jeta e kafshëve respektohet po aq sa e njerëzve.

Mirëpo këto aksione kanë gjetur mbështetjen e një pjese të mirë të popullit shqiptar të cilët edhe në rrjetet sociale me një pasion të zjarrtë kërkojnë zhdukjen e qeneve të rrugës dhe vrasjen e tyre nën justifikimin e frikës dhe duke përplasur lart e poshtë të vetmin incident nga qeni të ndodhur në Shqipëri. (Që si për çudi ndodhi pikërisht pardje, në kohën e duhur për tu dhënë një justifikim. Rastësi?)

Këtyre njerëzve le tu rikujtojmë që prej 1990-ës janë kryer 6230 vrasje në Shqipëri NGA NJERËZIT, nga njerëz me ndërgjegje dhe inteligjencë më të lartë se çdo kafshë tjetër e planetit, krahasuar me incidentet e shkaktuar nga qentë që numërohen me gishtat e njërës dorë në po këto vite.

Sipas statistikave botërore shansi që të kafshohesh nga një qen është 0,00003%, pra jashtëzakonisht shumë më i ulët se shansi që të të shtyp makina, të të vrasi një i afërm apo lopa!

Me siguri nuk e dinit por lopa është ndër kafshët më të rrezikshme që shkakton rreth 22 vdekje në vit, ndërkohë që edhe peshkaqeni është fajtor për vetëm 5 vdekje në vit. Megjithatë asnjë shqiptar nuk do të kërkojë vrasjen e të gjitha lopëve, as kastrimin e të gjithë meshkujve sa herë del një rast përdhunimi apo pedofilie, as zhdukjen e makinave me të cilat mijëra aksidentohen dhe qindra vdesin çdo vit dhe as të të gjitha nuseve.

Atëherë pse shqiptarët kërkojnë eleminimin fizik të qenve të rrugës, të cilët sipas statistikave futen tek speciet me rrezikshmëri më të ulët? Sepse munden!

Shqiptarët nuk kanë frikë nga qentë, përkundrazi ndjehen të fuqishëm para tyre, aq të fuqishëm sa mund t’i gjuajnë, t’i keqtrajtojnë, t’i vrasin e në fund të pretendojnë eleminimin e plotë sikur kanë të drejta mbi jetën e tyre, në një kohë që në botë edhe speciet më të rrezikshme mbrohen me ligj.

Në një shoqëri ku njerëzit ndihen të pafuqishëm kundër shtetit, familjes, burrit, etj, qentë e rrugës shërbejnë si thes boksi dhe kokë turku, përmes tyre mund të nxjerrësh dufin, mllefin, të riparosh egon dhe të përmbushësh frustrimet.

E ata? Të pajisur fizikisht me forcë dhe me dhëmbë të tillë që bluajnë dhe kockat, zgjedhin të tregohen më të mëshirshëm, më të qytetëruar dhe më të dashur se ne kur zgjedhin të na tundin bishtin, të na shohin me ato sytë plot shpresë apo të largohen me bisht ndër shalë kur i keqtrajtojmë, pa u hakmarrë dhe pa humbur besimin tek ne. Ne ankohemi për frikë, por frikën duhet të na e kenë ata neve.

Çfarë ndodhi me shpehjet me të cilat u rritëm si “Qeni është miku më i mirë i njeriut” apo “Qeni është kafsha më besnike”? Pse sot i rrisim fëmijët duke ju thënë kujdes se qeni të ha ose haje bukën se do të hajë qeni dhe në fund çuditemi që gjysma e shoqërise ndjen frikë, urrejtje dhe kërkon vrasjen e tyre, miqve tanë?

Që kur evoluan 36 mijë vjet më parë, qentë dhe njeriu janë të pandashëm. Nëse do të ishin të rrezikshëm, nuk do të ishin ende në familjet tona. Sot ata shërbejnë në forcat ushtarake dhe policore, u shërbejnë të sëmurëve me diabet apo epilepsi duke u shpëtuar jetën, ndihmojnë të verbërit, si kafshë terapie njerëzve që vuajnë nga ankthi apo traumat, mbrojnë shtëpitë dhe fëmijët tanë, luajnë dhe rriten  me ta, i bëjnë shoqëri të moshuarve, sjellin gëzim në familjet tona.

Amerikanët, të cilët kanë mbi 65 milion qen në shtëpitë e tyre dhe miliona të tjerë nëpër qendra kanë një shprehje shumë të vërtet: Ne nuk i meritojmë qentë!

Ndaj deri në zgjidhjen e problemit të qenve të rrugës nga shteti me ndërtimin e qendrave të posaçme për ta, ju lutem mos i prekni qentë! Banorët më të qytetëruar të Tiranës do të kujdesen për ta siç kanë bërë deri tani, ndërkohë ju ruajuni nga njerëzit, madje edhe ata të familjes, sipas statistikave krimet kanë më shumë gjasa të ndodhin aty!

Opinion nga Aleksandra Mone