“Pikëpyetjet e dorëheqjes surprizë të Xhafajt …. në mëngjez herët, pas një sherri gjithë natën me kryeministrin”


Ministri Fatmir Xhafaj jep dorëheqjen në mënyrë të papritur, mu në kulmin e tij të punës, fill pas arestimëve që tronditën politikën dhe sidomos mazhorancën. Edi Rama ka shkruar në Twitter se Fatmir Xhafaj ka dhënë dorëheqjen dhe ai e ka pranuar këtë.

Njofitmin për dorëheqjen e tij e ka pranuar kreu i qeverisë Edi Rama i cili e ka falenderuar atë për punën e bërë. Kryeministri ka nxituar ta bëjë sa më shpejt publike ikjen e ministrit.

Statusi i Edi Ramës në Twitter

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.”

Pikëpyetje të mëdha shtrohen para publikut në lidhje me këtë dorëheqje të papritur të ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.

E para lajmin e dorëheqjes nuk e dha vetë i zoti i dorëheqjes Fatmir Xhafa, por pikërisht kryeministri Rama. Kjo tregon se nuk është një dorëheqje normale, por e diktuar pas një sherri në nivel të lartë, ku duket se mezi e ka pritur Edi Rama, pasi e ka dhënë lajmin shumë herët këtë të shtunë, dhe po herët në mëngjez ka nxjerrë krejt protokollin e kryeministrisë për të propozuar emrin e ri për ministër që është këshilltari i tij për Sigurinë. Fare mirë mund pritej të zgjohej populli këtë të shtunë dhe jepej lajmi i dorëheqjes nga vetë ministri Xhafaj. Por nxitimi për ta bërë fakt të kryer, në mëngjez herët, pas një sherri gjithë natën mes kryeministrit dhe ministrit, tregon se diçka e madhe ka prekur interesat e Ramës. Të jetë dosja Dako apo arrestimet e fundit të ish-deputetit Arben Ndoka, ku burimet afër kryeministrit tregonin këto ditë, se pas arrestimit të Ndokës, Rama është tërbuar? Të jetë hetimi që po bëjnë gjermanët për dosjen Xibraka? Janë shumë dilema, por ministri Xhafaj ishte tamam në kulmin e tij të punës dhe në rritje të kuotave publike pas arrestimeve të fundit.

Pra diçka me këto arrestime duhet të jetë që nuk i ka pëlqyer kryeministrit.