Pamje nga momenti kur raketa izraelite godet mjetin ushtarak të iranianëve në Siri (Video)


Një video që është publikuar në internet shfaq momentin kur raketa izraelite shkatërron mjetin ushtarak të iranianëve në Siri, vetëm disa orë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi Teheranin se ka kaluarën vijën e kuqe kur lansuan raketa në drejtim të Golanit.

Ushtria izraelite ka shpërndarë videon e një sulmi, ku kanë shkruar se është kundërpërgjigje pasi forcat iraniane shkrepën 20 raketa në kufirin me Izraelin, duke u munduar të godasin caqet ushtarake, transmeton Telegrafi.

Videoja 20 sekondëshe shfaq raketën me kamerë të instaluar duke fluturuar dhe goditur sistemin mbrojtës kundërajror SA22, ku disa ushtarë ishin vetëm disa metra larg mjetit ushtarak.

Ushtria izraelite kishte vërejtur lëvizje të një mjeti ushtarak, që besohej se ishte sistem mbrojtës kundërajror që përdorej për sulme ndaj izraelitëve nga iranianët në Siri.

Sipas Times of Israel, ushtria kishte pasur për cak një numër të pajisjeve mbrojtëse në Siri siç janë SA22 dhe SA5, SA2 e SA17 me të cilët kishin gjuajtur aeroplanët izraelitë. /Telegrafi/