“O ba të lutem më bëj diçka!” Mbaron dhimbja e pamatë e vajzave që përlotën një Shqipëri të tërë


Një rikthim tek një histori e dhimbshme shpesh herë të kujton sërish dhimbjen, por kësaj here ka qenë ndryshe.
Kur fillimisht opinion publik u njoh me historinë e Aishes dhe Sidorelës, një Shqipëri e tërë u përlot nga dhimbja e tyre e pamatë. Sot, pavarësisht rikthimit të dhimbjes, koha ka ardhur për shndërrimin e trishtimit në lotë gëzimi.

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” i është rikthyer vajzave nga Gramshi dhe ka bërë të mundur që një pjesë e madhe e tragjedisë me të cilën ato jetonin prej vitesh, të riformulohej në dritë dhe dëshirë për të shpresuar se e nesërmja nuk do të jetë më e dhimbshme, por e lumtur.

Por cila është historia e vajzave që bënë të përlotej një Shqipëri e tërë?

Historia e Sidorelës dhe Aishes mund të përmblidhet në 28 vitet e tyre të dhimbshme, të pamundura për të lëvizur me këmbët e veta dhe të sëmura. Jetonin në një shtëpi të sakatuar e që për më tepër nuk ishte as në pronësinë e tyre.

Të gjithë shqiptarët i mbajnë mend mirë lotët e Hasanit, babait të vajzave, i cili me rrëfimin e tij tek emisioni në News24, preku thellësisht zemrat e shqiptarëve.

Aishja ishte dhe më e sëmura, pasi për shkak të qëndrimit të saj në krevat për vite me radhë, kishte akumuluar gurë në veshka, e për rrjedhojë dhimbjet e saj ishin të papërshkueshme.

Aishja: Po bëj kaq vite që s’jam ngritur një herë, të dal vetëm një herë të di ku është qyteti, çfarë bëhet. Gjithmonë vetëm shtrirë, të pres nga dera kush do të vijë t’më takojë

Sidorela: Babi ka harruar veten e tij vetëm për t’u kujdesur. I kemi shkaktuar kaq dhimbje e lot dhe nuk e di ku e gjen forcën, të thotë njëherë të vetme u lodha.

Babai i vajzave erdhi në emision dhe priti ndihmën e “Shqiptarëve për Shqiptarët”, duke dhënë mesazhe drithëruese.

Babai i vajzave: Thuajse 27 vite s’më kanë pushuar lotët, ato janë të sëmura faktikisht por janë yje, unë atyre u kam kushtuar dhe shpirtin. Gjëja më e tmerrshme që ka, është kur e zënë veshkat (qan) kur e zënë veshkat më thotë ”o ba bëj diçka” dhe (qan) s’kam çfarë t’i bëj, i them a do të jap shpirtin.

Këtë fundjavë, emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” publikoi vazhdimin e lumtur të një historie mjaft të dhimbshme. Përfundimin me sukses të operacionit të Aishes, marrjen e pronësisë së shtëpisë ku jetonte familja si dhe ndihmën që ju dha nënës së vajzave, e cila fatkeqësisht vuante vetë mungesën e dëgjimit.

Në emision, Elvis Naçi tregoi se mjekët flisnin për 90% mundësi se Aishja mund të ndërronte jetë. Naçi shpjegoi se operacioni i kryer u bë për të lehtësuar dhimbjet e mëdha të Aishes dhe se emisioni ka nisur të shohë mundësinë për të ndihmuar jashtë shtetit vajzën 28 vjeçare.

Pas operacionit

Doktori shpjegoi pas përfundimit të operacionit të bërë nga 3 doktorë sesi shkoi e gjithë procedura. Doktorët u shprehën se operacioni ka arritur maksimumin e ndërhyrjes që ata mund të bënin për t’i lehtësuar dhimbjet Aishes.

https://youtu.be/B1fRjbXsZn8

https://youtu.be/-2MxPd3g8bo

 

Fjalët përlotëse të vajzës: Kur i takoj njerëzit them me vete nuk qenkam vetëm, ka njerëz. Sot kam ardhur për të vizituar për veshkat. Jam ndierë shumë mirë, nuk e ndjej veten fare si në spital. Falenderoj xhaxhi Elvisin dhe “Shqiptarët për Shqiptarët” që më ndihmuan shumë.

Pas operacionit Elvis Naçi e Sidrit Bejleri kanë një dhuratë

Me përfundimin e operacionit, në derën e dhomës së Aishes në spital janë shfaqur Elvis Naçi Sidrit Beljeri. Aishja i ka treguar për operacionin dhe momentin kur i kanë thënë se rreziku për të mos ja dalë ishte tejet i lartë.

Aishja ka zgjedhur pa hezitim rrezikun për të mos hapur më sytë, një tregim që ka emocionuar Elvis Naçin e Sidrit Bejlerin, të cilët i kanë lënë një dhuratë Aishes si dhe premtimin se nëse operacioni nuk rezulton me sukses të plotë, atëherë ata do ta çojnë atë jashtë shtetit.

Elvis Naçi: Do të bëjmë gjithçka edhe për jashtë shtetit, nëse nuk funksionon operacioni. Do të bëjmë të pamundurën që të shkosh në vendim më të mirë sepse kjo nuk është jetë ashtu siç ti e tregon.