/“Nuk mbaron me kaq”, çfarë po paraIajmëron Rama pas refuzimit të Metës?

“Nuk mbaron me kaq”, çfarë po paraIajmëron Rama pas refuzimit të Metës?

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vendimet e fundit të maxhorancës, miratimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafajt si dhe emërimin e Sandër Lleshit zëvendës ministër i Brendshëm.

Por kryeministri me sa duket ka rezervuar edhe surpriza. Ai shkruan se nuk mbaron me kaq e me sa duket detajet do të mësohen nesër në seancën e jashtëzakonshme në orën 10:00.

“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”, shkruan kryeministri.

Kryeministri Rama është takuar paraditen e djeshme me Presidentin Meta, i cili nuk e dekretoi Sandër Lleshin Ministër të Brendshëm. Por edhe pas refuzimit, Rama nuk ka hequr dorë nga emërimi i Lleshit në një formë tjetër.

Kryeministria njoftoi dje pas takimit Rama-Meta se “me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës”.

Në mbledhjen e sotme të grupit të PS u mor vendimi që gjeneral Lleshi të emërohet në postin e zv/ministrit të brendshëm, por do të gëzojë kompetencat e ministrit.
Për këtë arsye parlamenti do të mblidhet ditën e martë në një seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00.