“Një prej rrëfimeve më të bukura në E Diela Shqiptare”


Zamira ka nguruar shumë që të jetë pjesë e “Ka një mesazh për ty“, mbi të gjitha për shkak të kërkesës që ajo ka ndaj prindërve të saj. Ajo jeton në Tiranë dhe është nënë e dy fëmijëve.

Zamira është shumë e lidhur me prindërit e saj, e mbi të gjitha me babain, i cili siç shprehet ajo, ka sakrifikuar shumë për të. Por prindërit e Zamirës, babai 69-vjeçar dhe nëna 63-vjeçare jetojnë prej më shumë se 20 vjetësh në Itali.

Ata janë integruar mirë në shoqërinë italiane dhe nuk e shohin kthimin në Shqipëri si diçka që mund të ndodhë në një të ardhme të afërt. Por Zamira duket se nuk është dakord me këtë gjë, sepse dëshiron që t’i ketë prindërit pranë, të kujdeset për ta dhe të mos jetojë me frikën se mund t’u ketë ndodhur gjë.

“Unë jam vajzë e përkëdhelur babai, një baba që ka qenë shumë i përkushtuar, i sakrificës dhe që nuk ka dashur asnjëherë të na përfshijë në sakrificat që ka bërë në jetën e tij. Im atë prej gati 23 vitesh ndodhet në Itali, sigurisht jo për dëshirë të tij, por si shumë shqiptarë të tjerë ndryshimi i sistemeve solli ndryshime të jetës së gjithësecilit. Shkoi më gomone, në një periudhë dimri, në një kohë që nuk dihej në do të kthehej apo do të mbërrinte gjallë, fatmirësisht gjithçka shkoi mirë”.

Zamira tregon se një ndër arsyet përse ai nuk i mori fillimisht fëmijët ishte ajo, pasi nuk donte që ta shkëpuste nga studimet. Megjithatë pasi mbaroi shkollën Zamira iu bashkua prindërve, por nuk u vendos atje.

“Vajta pasi mbarova studimet, babai krijoi mundësinë që të pajisesha me dokumente. Por pas një periudhe të shkurtër kohore filloi të më bindte se kjo lloj jete nuk ishte për mua. Ai tek mua shihte diçka më shumë, nuk donte që tek unë të ndërpritej e ardhmja për shkak të emigracionit”.

Prindërit e Zamirës jetojnë në Ravena të Italisë dhe ajo tregon se ata i mungojnë shumë. Ajo rrëfen se i ati ndihet si në tokën e vet atje, aq sa kur vjen në Shqipëri, mezi pret të kthehet në Itali. Por Zamira kërkon që ata të kthehen, pasi është gjithnjë e merakosur për ta dhe dëshiron që dy djemtë e saj të kenë gjyshërit pranë.

“Unë dua që ai të vijë këtu, sepse kanë një vajzë që në çdo ditë që lind apo në çdo mbrëmje që vjen, unë jam gjithë kohës me merakun se nëse nuk më përgjigjen në telefon, do t’i ketë ndodhur ndonjë gjë…”

I pranishëm në studio, Zoti Alush mori nga vajza e tij një mesazh vërtetë të ndjerë, që siç e cilësoi edhe vetë moderatori Ardit Gjebrea, ishte një prej më të bukurit që është bërë në këtë studio.

“Babush, unë nuk jam këtu të të them sa mirë që të kam pranë momentalisht apo përkohësisht. Unë e di shumë që ti nuk pranon që pas kaq shumë vitesh të kthehesh dhe të qëndrosh me ne, të qëndrosh me mua, me djemtë e mi, në Tiranën tënde që ti e ke dashur shumë, që të dha dhe i dhe shumë, por edhe në vendin tënd.

Unë e di që ti nuk ndihesh i huaj atje, por sigurisht nuk mund të jesh i huaj as këtu. Unë e kam të vështirë që në këto momente të flas gjatë, sepse më mund malli për ju. Do doja shumë që përkujdesjen që ke pasur e ke për mua, ta kaloje tashmë tek nipërit e tu. Sot, në mundësinë që m’u krijua nga Zoti Gjebrea, apo dhe nga Televizioni Klan, do të dëshiroja që të më jepje një përgjigje pozitive. Sigurisht unë e di që nuk do të mund të vendosësh tani, ti nuk je nga ato natyra që vendos përnjëherë, por të lutem më jep shpresën e afërt që do të bindesh për t’u kthyer”.

“Ja rrëfimi u bë, shkurt u bë, i qartë u bë…”, tha Zoti Alush.

“Dhe është nga më të bukurit që është bërë në këtë studio”, shtoi Gjebrea.

“Edhe unë, edhe pse jam përpara jush këtu dhe ndjej pjesën e përgjegjësisë morale. Emigrimi ishte jashtë vullnetit. U krijuan kushtet të tilla është që unë mbeta, nuk është se unë dua të rri dhe përcaktuese janë kushtet, jo dëshira, dëshira është shumë e madhe.

Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem i lidhur me Zamirën dhe atë që thotë sot, këtë kërkesë publike, do mundohem brenda mundësive më të mundshme… nuk kam idenë që të qëndroj në Itali, jo se s’më pëlqen atje, por prap si dheu ku jam lindur e rritur nuk ka. Me mundësinë më të parë, për t’u realizuar ajo pengesë që kemi, unë jam i ardhur. Edhe e shpreh para jush…”/tvklan.al